Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi këtë të martë një takim me demokratës së degës 7 në kryeqytet. Gjatë fjalës së tij Basha tha se ka qenë i vetëdijshëm nga fillim për vështirësinë e procesit ku ndodhet sot PD duke theksuar se nëse nuk do të kishte marrë atë vendim për të pezulluar Sali Berishën nuk do të ishin të sigurt për ekzistencën e saj.
“E rëndësishme është një gjë, që ky proces do të ishte një proces i vështirë, për këtë i pari kam qenë i vetëdijshëm unë. Dhe se kam qenë i vetëdijshëm se sa i vështirë do të ishte procesi, kam bërë gjithçka që të mbaja peshën më të madhe të vendimit. Po pa këtë vendim, sot ne nuk do e dinim se ku do të ishte Partia Demokratike, apo a do të ishte Partia Demokratike. Çfarë ka rëndësi? Rëndësi ka të përdorim atë që na ka dhënë Zoti për të komunikuar, mendjen dhe gjuhën”, tha Basha.
Duke u ndalur te protesta e 8 Janarit ai theksoi se kjo datë nuk mund të harrohet pa nxjerrë konkluzionet brenda familjes politike.
“Mendim ndryshe po, kritika po, kundërshti po, të gjitha! Dhe me zë të lartë, garë po, por jo dhunë, jo mashtrime dhe gënjeshtra, jo vese me të cilat kemi 8 vite që përballemi në emër të demokratëve dhe në emër të të gjithë shqiptarëve me qeverinë më të korruptuar të Europës. Nuk mund t’i lejojmë tani këto vese të bëhen pjesë e sjelljes në Partinë Demokratike.
Ndaj, nga njëra anë me të vërtetë janë një pjesë njerëzish, janë më pak se ç’kanë qenë para një muaji apo para dy muajsh, shumë më pak se ç’kanë qenë në 8 janar, një datë që duam ta harrojmë, por në fakt nuk mund ta harrojmë pa nxjerr konkluzionet brenda familjes tonë dhe do jenë edhe më pak kur ta kuptojnë që dora e shtrirë nuk është vetëm e imja, por është e çdo demokrati, se na bashkojnë qëllimet. Sepse mund të vëmë në pikëpyetje gjithçka, përveç motiveve dhe qëllimeve tona. Motivi është ky vend. Për këtë vend dhe për këta njerëz është themeluar kjo familje politike”, deklaroi ai.
Basha nënvizoi se partia Demokratike nuk mund të mbetet peng. “E sigurt është që vullneti i shumicës dërrmuese të shqiptarëve, për t’i dhënë fund tranzicionit, për të pasur qarkullimin e elitave, për të pasur një klasë politike e cila hynë në politikë për të shërbyer, vlerësohet me votë dhe ata që janë pjesë e klasës politike, që e abuzojnë pushtetin, ballafaqohen me pasojat e abuzimit me drejtësinë, kjo është aspiratë e shqiptarëve do të bëhet realitet, nuk e ndal dot askush, nuk e ndal dot Edi Rama.
Dhe për fat të keq, do të na duhet tani, të paktën deri në shërimin e një plage që padrejtësisht i është mbivendosur Partisë Demokratike, që një pjesë të energjisë ta shpenzojmë edhe brenda familjes. Sepse ata demokratë që janë jashtë aty, ata ndër demokratët që janë jashtë, duhet ditë për ditë e javë për javë t’i kemi kështu, bashkë me ne përpara të keqes. Aty ku ndodh e keqja, nga kryeministria tek ministritë, tek institucionet e tjera të zaptuara që po ua bëjnë jetën ferr shqiptarëve. Sepse sonte që flasim, edhe sonte që flasim, nuk duhet të harrojmë që gjysma e familjeve shqiptare, arrijnë të paguajnë vetëm një vakt në ditë.
Të ndahesh me të shkuarën nuk do të thotë të lësh prapa ata që duan me zemër të kontribuojnë për të ardhmen, duan me zemër të kontribuojnë për Shqipërinë. Përkundrazi, detyra jonë e parë, këtë javë, është që ti marrim me vete, t’iu shtrijmë dorën, t’iu themi nuk ka të tepër, nuk ka demokratë të tepër në familjen tonë. Shqipëria nuk mund të mbetet peng, Partia Demokratike nuk mund të mbetet peng, prandaj këtu jam dhe do të jem si pengu i demokratëve dhe si pengu i shqiptarëve, por si njeri i lirë përballë rrëgjimit dhe përballë atyre që janë bërë njësh me rrëgjimin duke denigruar, përçarë dhe fryrë frymës së përçarjes. Ata do të dështojnë. Ne do të fitojmë, Shqipëria do të fitojë!”, përmbylli ai.