Basha pas takimit me ministrin hungarez: Pas 25 prillit, procesi i integrimit Europian do të jetë sukses

schedule14:27 - 12 Shkurt, 2021

schedule 14:27 - 12 Shkurt, 2021

Lideri i PD , Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Péter Szijjártó. Në përfundim të këtij takimi Basha deklaroi se pas 25 prillit, procesi i integrimit Europian do të jetë suksesi kryesor.

“Shpreha mirënjohjen time dhe të PD për mbështetjen që Hungaria i jep Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt BE. Për fat të keq kemi humbur 8 vite, Shqipëria ka mbetur në vend numëro, për shkak të kryeministrit në ikje, Edi Rama, i cili ka vënë interesat e veta mbi ato të shqiptarëve.

E garantova ministrin se pas 25 prillit do të kemi një erë të re, për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit drejt BE, duke nisur me plotësimin e kushteve që do të çojnë në hapjen e negociatave. Nga 3 u bënë 5 dhe më pas 9 kushte për BE.

I garantova se PD dhe opozita e bashkuar do të bëjnë gjithçka që pas 25 prillit edhe procesi i integrimit europian të jetë një sukses. Pas 25 prillit të hapim negociatat dhe të përmirësojmë klimën e biznesit”, tha Basha.

Gjithashtu ai theksoi se për shkak të qeverisjes Rama, Shqipëria nuk ka pësuar asnjë ndryshim.

Fjala e plotë e kreut të PD-së Lulzim Basha: 

Pata kënaqësinë të mirëpres ministrin e jashtëm të Hungarisë zotin Szijarto, në një vizitë në Selinë e Partisë Demokratike, të një vendi mik, të një populli mik me të cilin ndajmë një miqësi të hershme që nga koha e Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe i Janosh Huniadi.I shpreha ministrit të jashtëm Szijarto mirënjohjen e thellë timen dhe të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar për mbështetjen që Hungaria i jep Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Për fat të keq kemi humbur 8 vite, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro, s’ka bërë dot asnjë hap përpara për shkak sepse kryeministri në ikje Edi Rama ka vënë interesat e tij personale dhe politike mbi interesat e shqiptarëve dhe ka bllokuar integrimin europian të vendit.

E garantova se pas 25 Prillit do të kemi një erë të re të bashkëpunimit me Hungarinë dhe me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian, me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duke nisur me plotësimin e të gjitha kushteve që do të çojnë në hapjen e negociatave. Ishte pikërisht dështime i këtyre 8 viteve të Edi Ramës që nga 3 u bën 5, 9 dhe pastaj 15 kushte dhe do të jetë ndryshimi i 25 Prillit që do të bëjë të mundur zhbllokimin e rrugës europiane të Shqipërisë.

Procesi i anëtarësimit duke filluar me hapjen e negociatave do të ndihmojë po kështu në përmirësimin e klimës së biznesit dhe besimit të investitorëve të huaj. Kjo do të thotë më shumë garanci për investimet e huaja, më shumë garanci për punësim dhe mirëqenie për qytetarët shqiptarë.

Këto janë çështjet që ndava me ministrin e jashtëm hungarez dhe e garantova se Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar do të bëjnë gjithçka që pas 25 prillit edhe procesi i Integrimit Europian do të jetë një sukses siç arritëm sukseset e mëparshme për shqiptarët, duke futur vendin në NATO, duke hequr vizat për qytetarët shqiptarë, duke nisur me sukses procesin e anëtarësimit së Shqipërisë në Bashkimin Europian, na takon që së bashku me gjithë shqiptarët pas 25 prillit të hapim negociatat, të përmirësojmë klimën e biznesit, të sjellim investimet europiane, natyrisht është hungareze në Shqipëri në funksion të punësimit dhe të mirëqenies së shqiptarëve.

/abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!