Basha pas humbjes së mjekut: Kam mbresa të pashlyeshme nga përkushtimi profesional i tij

schedule17:09 - 30 Qershor, 2020

schedule 17:09 - 30 Qershor, 2020

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas humbjes së jetës nga koronavirusi të mjekut Arjan Pushi.

Basha në mesazhin e tij në Facebook, shkruan se gjatë muajve të fundit ka ruajtur një komunikim të rregullt me profesorin, mbi krizën e COVID-19 dhe se ka mbresa të pashlyeshme nga përkushtimi profesional dhe atdhetar dhe dhembshuria njerëzore e tij.

Sipas kryedemokratit asnjë ngushëllim nuk e lehtëson dot dhimbjen e thellë të të afërmve dhe kolegëve të tij. Prof. Dr. Arjan Pushi ka përjetë mirënjohjen e thellë të gjithë shoqërisë.

LEXO EDHE:MSH: Ndërron jetë tek “Infektivi” profesori i Fakultetit të Mjekësisë Arjan Pushi, reagon Manastirliu

Postimi i plotë:

Jam i tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të prof. dr. Arjan Pushit, një misionari të bluzave të bardha që përmes përkushtimit dhe angazhimit të palodhur i dha ndihmë te paçmuar qindra pacientëve të tij.

Gjatë muajve të fundit kam ruajtur një komunikim të rregullt me prof. Arjanin mbi krizën e COVID-19 dhe gjendjen e kujdesit spitalor në tërësi. Kam mbresa të pashlyeshme nga përkushtimi profesional dhe atdhetar dhe dhembshuria njerëzore e tij.

Asnjë ngushëllim nuk e lehtëson dot dhimbjen e thellë të të afërmve dhe kolegëve të tij. Prof. Dr. Arjan Pushi ka përjetë mirënjohjen e thellë të gjithë shoqërisë për një jetë në shërbim të njerëzve.

Lutjet dhe mendimet e mia janë për familjarët dhe miqtë e tij. Respekti im maksimal është për mjekët që luftuan deri në fund për ta mbajtur në jetë mikun dhe kolegun e tyre dhe që punojnë me të njëjtin përkushtim për çdo pacient. U prehtë në paqe!/abcnews.al