Basha pas arrestimeve: Peshku i madh është Vangjush Dako

schedule14:06 - 22 Tetor, 2018

schedule 14:06 - 22 Tetor, 2018

Asgjë të re nuk sheh Lulzim Basha në atë që e konsideron si skemë të vjetër të servirjes së peshqve të vegjël, për të shpëtuar peshkun e madh, i cili për të mban emrin e Vangjush Dakos, kreut të bashkisë Durrës. E duke vijuar metaforën e preferuar të ish-ambasadorit amerikan, Donald Lu.

“Peshku i madh i kësaj dosje është Vangjush Dako që si kam paralajmëruar prej 2 vitesh është kapur në flagrancë në përgjime zyrtare të prokurorisë dhe partnerëve në transaksione politike dhe financare me krimin e organizuar. Duke i ofruar tendra dhe lehtësira grupeve kriminale në shkëmbim të votave për PS-në”, tha kreu i PD-së.

Aksioni i cili çoi në pranga disa anëtarë të grupit Avdylaj në Shikaj, por edhe shoqërimin e mbi 20 të tjerëve ka edhe një qëllim tjetër për kryedemokratin Basha.

“Për të shpëtuar peshkun e madh të kësaj dosjeje Dakon dhe për të shkatërruar provat dhe hetimet që duhet të çojnë në arrestimin e tij dhe të paktën katër deputet të tjerë si pjesë e kësaj dosje hetimore”, u shpreh Basha.

Ndryshe nga herët e tjera, kreu i selisë blu ishte një hap mbrapa lajmit kur pralajmëroi atë që quan pjesë të skenarit.

“Peshqit e vegjël që janë arrestuar mbrëmë do të lirohen dhe akuzat do t’u lehtësohen”, tha kreu i opozitës.

Jo vetëm kaq, por kjo është vetëm një nga dosjet që kryeprokuroria e Krimeve të Rënda, Donika Prela, ka marrë përsipër të shkatërroje, theksoi Basha, sipas të cilit këtë fat do të kenë edhe dosje të tjera që përfshijnë emrat e Taulant Ballës, Damian Gjiknurit, Arben Ahmetajt dhe natyrisht Sajmir Tahirit dhe Fatmir e Agron Xhafajt./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!