Pas takimit me ministrin e Jashtëm të Çekisë, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh se nuk komenton deklaratat e ambasadave, por ai tha se kishte një sugjerim që të mos bëhen palë me asnjë parti politike. Reagimi i kryedemokratit erdhi pas apelit të ambasadës amerikane në Tiranë, që u bëri thirrje ish-deputetëve opozitarë të distancohen nga aktet e dhunshme në protestën e nesërme.
Një ditë para protestës së 16 marsit, kryetari demokrat Lulzim Basha theksoi se kjo është e vetmja mënyrë për të ndalur të keqen.
“Protesta e nesërme do të jetë një tjetër rast për t’u bashkuar. Shqiptarët e kanë kuptuar se e vetmja mënyrë për të ndalur të keqen është protesta. E vetmja mënyrë për të garantuar ndaljen e të keqes, është protesta. Kam bindjen dhe infomacionin se do të hyjë në histori si një nga protestat më të mëdha dhe bashkimet më të mëdha të qytetarëve”.
Deklarat e Bashës vjen pas takimit me ministrin e jashtëm çek, ndërkohë që nuk dha asnjë koment për deklaratën e ambasadës amerikane e cila bëri thirrje që në protestën e 16 Marsit të shmangen aktet e dhunës, por kërkoir prej ambasadave të huaja në vendin tonë që të mos jenë palë me askënd.
“Unë nuk komentoj deklaratat e ambasadave. Por një sugjerim e kam. Nuk ju kërkoj të jenë palë me asnjë person në Shqipëri, me asnjë parti politike, por ju kërkoj të jenë palë me vlerat e demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të luftës kundër korrupsionit, të luftës kundër krimit të organizuar dhe të drogës, të luftës kundër shtiblerjes së votës. Probleme të cilat i shprehu qartë edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit edhe para disa ditësh”. /abcnews.al