Ndërsa Gazment Bardhi kërkon t’ia heqë Enkelejd Alibeajn nga bashkëdrejtimi i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Lulzim Basha mblodhi mbështetësit e tij në një sallë për të treguar se është një hap para tij dhe prezantoi për herë të parë propozimet e tij për reformën e re zgjedhore.
Propozimet e Lulzim Bashës, i mbetur me vetëm 10 deputetë në Parlament, kërkojnë të bëjnë ndryshime drastike jo vetëm në Kodin Elektoral, por edhe ndryshime në Kushtetute, siç është ky propozim i tij:
“Rikthimi i presidentit të Republikës si një garant i Kushtetutës përmes zgjedhjes së drejtpërdrejtë nga populli dhe rikthimit të kompetencave që iu hoqën netët e prillit 2008, është për PD një prioritet absolut”, tha Basha.
Me listat e hapura është bërë mjaft politikë, dhe Lulzim Basha ende mendon se kjo realizohet. Aktualisht Parlamenti është zgjedhur me Lista të Hapura, pjesërisht, duke vendosur si kufizim Herësin.
“Largimi i konceptit të herësit, për listat e hapura. Kjo të jetë e vërtet edhe për këshillat bashkiak. Shqipëria një zonë elektorale si Kosova, në daçi si vendet e BE. Të hapur edhe për ndarje me 3 ose 4 zona elektorale. Rëndësi të ketë barazi të votës“, shtoi Basha.
Basha po ashtu mendon se shqiptarët jashtë territorit duhet të votojnë.
“Kanë mbaruar alibitë për të mos iu njohur shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të drejtën për të votuar aty ku jetojnë. Nuk ka nevojë për rradhë në ambasada. Votimi elektronik e zgjidh këtë”, tha Basha.
Por kjo ambicie e Lulzim Bashës nuk duket se gjen mbështetje në forcat e tij numerike në parlament. Basha ka Alibeajn në Komision, por a mjafton kur ai nuk ka deputetë në Parlament që t’i imponohet për këto ndryshime, që duan në rastin e Kodit 84 vota, e në rastin e ndryshimit të Kushtetutës për Presidentin 93 vota.
Edhe vetë duket se është i vetëdijshëm se i vetëm nuk mundet dhe atyre që u ka shpallur luftë në parti, u kërkon që t’i harrojnë kundërshitë e t’i bashkohen.
“Ne shtrijmë sot dorën ndaj çdo faktori politik dhe shoqëror që të lënë mënjanë axhendat e ngushta dhe te bashkohen në një reformë zgjedhore që iu jep qytetarëve shqiptarë një demokraci të standartit evropian”, tha ai./abcnews.al