Basha nga Rrogozhina: S‘ka as pazar, as kompromis

schedule12:46 - 7 Prill, 2019

schedule 12:46 - 7 Prill, 2019

Por, kryetari i Partisë Demokratike duket i vendosur për të vijuar me aksionin opozitar, deri në rrëzimin e qeverisë “Rama”. Nga Rrogozhina, Lulzim Basha iu përgjigj presidentit se nuk do të ketë as kompromis dhe as pazare, ndërsa bëri thirrje për bashkim forcash në protestën e 13 Prillit.

Për Lulzim Bashën nuk ka kthim pas. Kryetari i Partisë Demokratike iu përgjigj Presidentit të Republikës nga Rrogozhina ku tha se nuk do të ketë kompromis për të zhbërë atë që nisi me 16 Shkurt.

“Nuk ka dhe nuk do të ketë Pazar mbi sakrificën tuaj. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë zgjidhje tjetër përveç një zgjidhje të thellë politike që do të bëjë të mundur që ëndrra e çdo të riu dhe të reje të Rrogozhinës, e çdo prindi, ëndrra e fermerëve për një Shqipëri evropiane të bërë realitet”, tha Basha.

Protesta e ardhshme e madhe e opozitës paralajmëroi kryedemokrati do të jetë më 13 Prill. Basha ftoi qytetarët të bëhen pjesë e tubimit që do të zhvillohet në Tiranë i cili ndryshe nga herët e tjera të shtunën e ardhshme do të mbahet gjatë pasdites.

“Të bëheni pjesë e lumit të qytetarëve që do derdhen në Tiranë mbrëmjen e shtunës së ardhshme në orën 18:00 në një tjetër bashkim të madh kombëtar. Pranvera sapo ka nisur, ndryshimi po vjen falë jush”, tha Basha.

Gjithashtu  kryetari i Partisë Demokratike foli dhe për ndryshim ë sistemit zgjedhor.

“Deputetët e ardhshëm në parlament nuk do të përcaktohen më në mënyrë misterioze, anonime apo vetëm nga një njeri. Deputetët do të jenë prodhim i vullnetit të qytetarëve. Ata do ta kenë fatin e lidhur me qytetarët. Ata do ta kenë fatin të lidhur me ju. Ju do të jeni ata që do të përcaktoni kandidatët e ardhshëm të PD-së, ju do të jeni ata që do përcaktoni me votë, deputetët e ardhshëm të parlamentit”, tha kryedemokrati.

Beteja e demokratëve tha kryetari Lulzim Basha ka në thelb varrosjen e fenomenit Rama, politikanit që sipas tij fut duart në xhepat e qytetarëve për të pasuruar një grup njerëzish. Lideri i opozitës pati dhe një paralajmërim për ata të cilët i quan oligarkë, ndërsa tha se do t’u konfiskohet çdo pasuri që po u zhvasin popullit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!