Basha në rrugët e Tiranës, u shpërndan fletëpalosje qytetarëve

schedule20:19 - 25 Maj, 2018

schedule 20:19 - 25 Maj, 2018

Pak orë para protestës së paralajmëruar në Tiranë, kreu i opoziës, Lulzim Basha, takoi derë më derë banorë të ndryshëm të kryeqytetit, të cilët i ftoi t’i bashkohen tubimit të së shtunës.

Lulzim Basha doli personalisht në rrugët e Tiranës për të ftuar qytetarët të dalin në protestë.

Në trotuare dyqane a lokale, kryeopozitari u dha dorën dhe një fletëpalosje për t’i thirrur të shtunën në tubim kundër qeverisë.

Sipas Bashës, kjo qeveri nuk mund të drejtojë me shqiptarët.

“Nuk ka e nuk do të ketë jetë më të mirë dhe as shpresë për shqiptarët dhe as bisedime për  t’u bërë anëtarë të familjes së madhe europiane sa kohë në krye të vendit ka politikanë të lidhur me krimin. Sa kohë ligji nuk vepron njësoj, por mbron të pushtetshmit, mbron politikanët e lidhur me krimin”

Është i bindur se motive për të protestuar ka shumë.

“Nëse e ke të pamundur të vazhdosh me këto taksa të larta. Nëse e ke të pamundur të përballosh inspektorët, tatimorët dhe gjobvënësit mos ul kokën, eja protesto me ne. Eja bashkohu me shqiptarët”.

Thirrjen për t’iu bashkuar protestës ua drejton edhe shumë të tjerëve të rinjve, fermerëve, artistëve, të papunëve. Sipas Bashës është një protestë për të nesërmen e gjithë shqiptarëve, një protestë për Europën.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!