Gjatë një takimi në Rrëshen Lulzim Basha theksoi se Programi, vizioni dhe protesta e Partisë Demokratike është në përputhje me axhendën perëndimore të Uashingtonit dhe Brukselit.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha në Rrëshen, se vendi nuk do të bëjë përpara, nëse do të vazhdojë të qeveriset nga aleanca me krimin.
“Ne e dimë fare mirë se nuk ka asnjë vend ku kryeministri është kapur në flagrancë në bashkëpunim me krimin dhe vazhdon të mbetet në detyrë; ku Ministri i tij i Brendshëm në 4 vite dhe krahu i tij i djathtë është demaskuar si koka e drogës dhe shefi i tij vazhdon të mbetet në detyrë; ku studimet konfirmojnë se 20% e shqiptarëve kanë pohuar blerjen e votes dhe kryeministri mbetet në detyrë; se nuk ka asnjë shans që Shqipëria të futet në Europë pa futur Saimir Tahirin në burg, pa futur të gjithë zyrtarët e tjerë të korruptuar e të lidhur me krimin në burg, pa vënë Edi Ramën para përgjegjësisë politike dhe ligjore.“
Basha, ftoi qytetarët që, me pjesëmarrjen e tyre në protesten e 27 Janarit, të tregojnë refuzimin dhe vendosmërinë për largimin e Edi Ramës.
“Kur i heq të gjitha, kur heq Edi Ramën balerin, Edi Ramën artist, Edi Ramën sportist, Edi Ramën babagjysh, kur i heq të gjitha këto me çfarë mbetemi? Mbetemi me një ekonomi të shkatërruar, me një bujqësi në faliment, me rini të pashpresë, me emigracion në rritje, me çmime në strastosferë të naftës, të dritave, të ujit. Me këto mbetemi. E gjithë pjesa tjetër është një shfaqje, është narkozë”.
Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se objektivat e kësaj proteste dhe fitorja e betejës se opozites jane në përputhje totale me axhendën perëndimore./abcnews.al