Në një dalje për mediat kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nuk i kurseu akuzat për kreun e qeverisë lidhur me projektin për unazën e re. Sipas Bashës, afera e Unazës së madhe është vjedhje direkte nga Rama, pasi çdo gisht asfalt do të kushtojë 2 mijë euro.
Se përse u ka dalë në krah banorëve të unazës së re ka vendosur ta sqarojë pikë për pikë.
“2 mijë euro për 1 cm: ky është çmimi me të cilin Rama po vjedh paratë tuaja, paratë e taksapaguesve shqiptarë. Garë nuk ka pasur dhe çmimi i prokurimit është çmim rekord”.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaron se po shkelet çdo ligj me projektin e unazës së madhe të Tiranës.
“Dhe ligji i parë që shkelet është ligji i prokurimeve. Kjo nuk mund të ndodhë vetëm me kokën e drejtorit të ARRSH i cili do japë llogari para ligjit. Kjo ndodh sepse në vjedhje është përfshirë Edi Rama. Hajduti që ka shkelur ligjin e prokurimeve është Edi Rama. Hajduti numër 1 që ka futur duart në thesin e parave të shqiptarëve duke shkelur ligjin e prokurimeve, është Edi Rama”.
Gjithçka është bërë me nxitim të madh –thotë Lulzim Basha me qëllim që 40 milionëshi dhe kapari i 40 milionëshit të përfundojë një orë e më parë në xhepin kryeministrit. Ky i fundit duhet ti dëmshpërblejë banorët siç ka bërë me të tjerët në dy lotet e tjera.
“Është shpërndarë mashtrimi se këta njerëz janë zaptues, secili prej tyre e ka blerë pronët, paguan për 25 vite faturat, energjisë, ujit, fitues i ligjit të legalizimit, asnjë nga ata nuk është zaptues”.
I ashpër është treguar edhe ndaj organizatave ndërkombëtare në Shqipëri të cilëve u kërkon të reagojnë.
“Kam një pyetje për organizatat ndërkombëtare në Shqipëri: Ku jeni, për çfarë paguheni?! Për çfarë jeni këtu?! Për të bërë pasarela, për të ngrënë e për të pirë? Sa e mirë është vera shqiptare?! Ku jeni?! Ja ku është “drejtësia shqiptare”! Pse heshtni?! Heshtja ju bën bashkëfajtorë!” /abcnews.al