Basha me pedagogët në Korçë: Arsimi i lartë prioritet, stazh të paguar për të sapodiplomuarit

schedule14:57 - 31 Mars, 2021

schedule 14:57 - 31 Mars, 2021

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë vizitës së tij në Korçë, në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit është takuar me pedagogë dhe me mësues të këtij qarku.

Basha në fjalën e tij ka prezantuar para mësuesve dhe pedagogëve planin e Partisë Demokratike për arsimin e lartë, ku ka theksuar se në fokus do të jetë shtimi i buxhetit për këtë fushë,

Kryedemokrati ndër të tjera ka theksuar se qeveria e tij do të bëjë të mundur krijimin e  10 mijë stazhe me pagesë për një periudhë 12 mujore për studentët ekselentë.

“Praktika apo trajnimi dual të jetë një pjesë e pandarë e procesit mësimdhënës në universitetet shqiptare, jo vetëm në fusha ku as nuk mund të përfytyrohet që një i diplomuar të jetë i përgatitur për tregun e punës pa praktikë siç është shëndetësia, por absolutisht në asnjë fushë, sociologji, juridik, inxhinieritë e ndryshme dhe natyrisht në ato fusha që ka një perspektivë të jashtëzakonshme për rritjen ekonomike, për thithjen e investimeve, për punësimin me paga dinjitoze, siç është për shembull teknologjia e informacionit.

Me thënë me fjalë të tjera më shumë fonde do të shkojnë për ato universitete apo për ato fakultete brenda universiteteve, të cilat do të jenë të parat në garën për të ndërthurur teorinë me praktikën.

Kësaj do ti bashkëngjitet edhe një pjesë tjetër e financuar e drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit, që janë 10 mijë stazhe 12 mujore të paguara për të sapo diplomuarit më të mirë, të paguara me një pagë apo me një shpërblim do të thosha simbolik prej 30 mijë lek të reja, 300 mijë lek të vjetra, synimi nuk është që t’ju siguroj punë, por të siguroj urën nga auditori drejt tregut të punës, përmes stazheve, përmes njohjes së profesionit direkt aty ku ushtrohet, përmes krijimit të lidhjeve me rrjetin e profesionistëve.

Garancitë shtohen që një i sapodiplomuar nuk hidhet si i thonë në rrugë drejt nga auditori dhe përfundon siç kam takuar nga Lezha në Vlorë me dy diploma tek dera e një dyqani bosh ku nuk hyn askush, por ka të gjitha shanset që të integrohet në tregun e punës dhe të dhënat këtë tregojnë nga Bosnja në Kosovë, nga Serbia në Maqedoninë e veriut dhe në ato raste kur e kemi praktikuar në Shqipëri edhe këtu se minimalisht 7 deri në 9, në çdo 10 studentë që ushtrojnë praktikën pasi kanë përfunduar studimet sigurojnë një vend pune, jo vetëm aty ku po ushtrojnë praktikën, por edhe në vende të tjera të cilat lidhen përmes njohjeve dhe lidhjeve networkut që krijon vetë praktika.

Trajnimi dual, praktikat, madje praktikat edhe në bashkimin europian ishin temat kryesore të konferencës që zhvillova javën e kaluar me komisioneren Maria Gabriel dhe me aleancën e universiteteve europian e. Lajmi i mirë është që falë insistimit të komisionit europiane, shuma e vendosur në dispozicion të studentëve të Ballkanit perëndimor dhe të pedagogëve për këto dy fusha, trajnimin dual dhe praktikën pas mbarimit të universitetit është një shumë rekord, 26 miliardë euro, pothuajse 2 herë e gjysmë buxheti i Shqipërisë vetëm për këtë fushë. Atëherë çfarë na ka penguar deri më sot të përfitojmë nga kjo, mungesa e vëmendjes, braktisja totale, shpërfillja e botës universitare deri në mëri.

Kjo me 25 Prill merr fund dhe ne do të bashkojmë forcat! Qeveria e ardhshme, me Universitetin e Korçës dhe të gjitha universitetet e tjera të Shqipërisë, me universitetet europiane, me Bashkimin Europian dhe Komisionin Europian për të arritur qëllimin më madhor që mund të ketë një qeveri, për të arritur objektivin më të madh që mund të ketë një shoqëri, ëndrrën dhe pritshmërinë më të madhe që mund të ketë një familje që krijimi i vendeve të punës, me paga dinjitoze për fëmijët e tyre”, është shprehur Basha.

 

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!