Basha mbledh të deleguarit për organizimin e PD-së në rrethe

schedule22:25 - 3 Shtator, 2019

schedule 22:25 - 3 Shtator, 2019

Partia Demokratike mund t’i rikthehet protestave kombëtare brenda Shtatorit. Ky ishte qëndrimi që kreu i PD, Lulzim Basha i komunikoi koordinatorëve demokratë në qarqe, pas përfundimit të urdhrit të firmosur prej tij për organizimin e partisë. Basha ka porositur funksionarët demokratë që të punojnë për anëtarësimet e reja dhe afrimin e individëve me kontribute historike në PD.

Krahas takimeve me ndërkombëtarët për të denoncuar qeverinë dhe zgjidhur krizën politike, Lulzim Basha është gati të nisë aksionin opozitar me në fokus protestat. Në përfundim të afateve urdhrit të firmosur në 12 Korrik për koordinimin e veprimtarisë politike brenda Partisë Demokratike, Lulzim Basha thirri në një takim pasditen e të martës të deleguarit e tij në qarqe për organizimin e partisë.

Për më shumë se 60 minuta, Basha diskutoi mbi organizimin e strukturave të PD dhe mundësinë e anëtarësimeve të reja në funksion të zgjerimit të partisë. Lulzim Basha mësohet të ketë deklaruar në mbledhje se opozita mund të thërrasë protesta kombëtare brenda shtatorit, por data kur ajo do të mbahet pritet të jetë produkt i takimit që do të zhvillohet me aleatët, kryesinë dhe Këshillin Kombëtar.

24 të deleguarit në qarqe kanë raportuar mbi gjendjen në degët që kanë mbuluar duke shprehur edhe pritshmëritë nga strukturat. Kreu i demokratëve, Basha ka kërkuar nga të deleguarit në qarqe që të ketë komunikim intensive me strukturat dhe evidentimin e personave me influencë në degë në kushtet kur vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!