Për herë të parë që nga nisja zyrtare e fushatës, kreu i demokratëve Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi shfaqen bashkë. Dy liderët e opozitës ndodhen mbrëmjen e së dielës në Kombinat me banorët e prekur nga tërmeti.
Duke iu referuar ftesës së kryeministrit Edi Rama për bashkëpunim, Lulzim Basha tha se Rama po mundohet të hapë një deriçkë, por theksoi se koalicioni për ndryshim do të bëhet me LSI-në.
“Koaliconi për ndryshim do të bëjë koalicionme LSI-në. Me qëllim për t’i dhënë vendin një qeverisje të ndryshimit, shpresës, që do të hapë rrugën për Shqipërinë evropiane…”
Ndër të tjera, Basha tha po ashtu se shkuan te banorët e prekur nga tërmeti për të parë “shkatërrimin që ka lënë pas Rama në këto vite të qeverisjes.” Kreu i opozitës e cilësoi procesin e rindërtimit një dështim, ndërsa shtoi se Partia Demokratike me ardhjen në pushtet do t’i japë zgjidhje.
Nga ana tjetër, kryetarja e LSI-së tha se jo pa qëllim vizituan sonte atë pjesë të Kombinatit, pas shtoi ajo “këtu fillon shtëpia e shqiptarëve.”
“Jo pa qëllim jemi këtu në këtë orë të vonë, sepse këtu Rama kërkon të grabisë pronat dhe shtëpitë tuaja, erdhëm këtu sepse këtu fillon shtëpia e shqiptarëve, shtëpia juaj. Fronti opozitar është fronti shqiptar dhe mendon për ju dhe familjet tuaja. Jemi në shtëpitë tuaja sepse ai po rindërton vetëm xhepat e tij 3D. Ne jemi një dhe jemi një me gjithë Shqipërinë. Sot deklarata e presidentit serb Vuçiç tregonte hallin e madh të Edi Ramës. Sepse ai sheh te Basha e Kryemadhi, te çdo demokrat te çdo LSI-st e socialist i ndershëm kundër Edi Ramës dhe rilindjes dhe krah erës së ndryshimit. Ne ju japim fjalën dhe do t’i qëndrojmë rindërtimit dhe do ta çojmë deri në fund.” sb/abcnews.al/