Basha: Jam gati ta takoj Berishën

schedule18:07 - 11 Shtator, 2021

schedule 18:07 - 11 Shtator, 2021

Nga Juxhin Mustafaraj

Pasi sqaroj deputetët për vendimin e përjashtimit të ish-kryeministrit Berisha nga grupi parlamentar, Lulzim Basha ka nisur të informoje strukturat mbi vendimmarrjen që për nga pesha e saj e ka cilësuar më të fortën brenda Partisë Demokratike.

Paraditen e të shtunës, Basha takoi krerët e degëve të PD në rrethe, dhe i informoi për vendimin duke kërkuar që t’i sqarohet demokratëve se vendimi nuk është mohim i Sali Berishës dhe historisë së tij brenda PD.

“Vendimi për përjashtimin e z.Berisha nga grupi parlamentar është më i vështiri për mua. Fakti që ai vendim u mor në momentin e fundit tregon se kam bërë dhe kemi bërë gjithçka që të gjendej një rrugë për ta shmangur këtë situatë.

Por vendimi është do të jetë në fuqi për aq kohë sa z. Berisha të sqarojë pozitat e tij, për një çështje që edhe ai vetë është shprehur se është një betejë personale dhe ligjore. Unë nuk kam mohuar Sali Berishën dhe historinë e tij në këtë parti.

Ai është anëtarë i Përhershëm i Kuvendit Kombëtar dhe Këshillit Kombëtar. Dera e PD është e hapur për të. Në çdo kohë që ai do të takohet, unë do ta takoj dhe jam i gatshëm ta sqaroj për vendimin që kam marrë” u tha Basha, kryetarëve të degëve të PD-së.

Me bindjen se vendimi nuk është një ndarje përfundimtare me Berishën nga mbledhja dolën edhe krerët e degëve. Në takimin me dyer të mbyllura, Basha foli për një izolim total të demokratëve në rast se do të dilnin kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas qëndrimeve të Berishës nga oborri i Parlamentit , Basha shprehu keqardhje për gjuhën që lideri historik i demokratëve po përdor ndaj tij, duke garantuar se i vetmi kundërshtar për të dhe Partinë Demokratike është kryeministri Rama./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!