Basha inspekton njësitë bashkiake, banorët: Me qindra banesa në rrezik

schedule18:00 - 1 Dhjetor, 2019

schedule 18:00 - 1 Dhjetor, 2019

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, inspektoi sot disa lagje brenda Tiranës në njësinë 6 në Kombinat, në njësinë 8 dhe në njësinë, ku ka dëme të konsiderueshme nga tërmeti i 26 nëntorit.

Më e prekura nga zonat është Kombinati, ku banorët thanë se janë në mëshirë të fatit. Pasojat e rënda të tërmetit janë të dukshme në banesat e tyre, por banorët thonë se nuk kanë asnjë kujdes as nga bashkia, as nga qeveria.

Kërkesa e të gjithëve është t’u shkojnë autoritete për të vlerësuar nëse banesa është e jetueshme dhe e sigurtë, gjë që nuk ka ndodhur deri tani. Edhe në ato pak banesa të verifikuara të pabanueshme, banorët thonë së nuk u është dhënë asnjë zgjidhje për strehim. Ata flenë në çadra plasmasi të sajuara ose të marra tek fondacionet e huaja të ndihmës.

Situata më e rëndë është në objektet e ish fabrikës së qelqit të cilat rrezikojnë të shemben plotësisht. ‘Rrezikon të bjerë objekti. Ka krisje në kolona, por Njësia na ka thënë: “nuk ju njohim fare”, ngrenë alarmin familjet në rrezik.

Edhe në njësinë 8 në Tiranë, strukturat e PD-së, kanë verifikuar dëme të rënda në pallate e shtëpi private.  Në rrugën Skënder Sallaku, kryetari Basha pa një pallat 13 katësh me 50 familje, i cili kishte krisje të rënda në kolona.

“Na kanë rënë tullat e mureve dhe jemi rrezikuar. Njerëzit kanë dalë vet, ndërsa pallatit nuk i është vënë asnjë shirit’, – thotë një banore. Në Rrugën Riza Cerova, një pallat i ndërtuar 2 vitet e fundit është krisur rreth e rrotull, por askush nuk ka shkuar për të vlerësuar gjendjen. ‘Pallati është çarë në të gjitha anët. Askush nuk na thotë asgjë’ – u shpreh i revoltuar një banor, ndërsa një tjetër shtoi -’Askush nuk na jep asnjë shpjegim. Nuk na thotë njeri rrihet apo jo në shtëpi”

Basha u kërkoi banorëve të mos hyjnë në banesa të rrezikshme. Falë ndihmës së një biznesmeni të zonës, kreu i opozitës arriti të sistemojë në një hotel disa prej familjeve të rrezikuara, duke u siguruar strehim, ngrohje dhe ushqim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!