Lideri i PD-së, Lulzim Basha mbrëmjen e sotme u ka kthyer përgjigje kreut të FRPD-së, Belind Këlliçi dhe kryetares së LDGSH-së, Albana Vokshi pasi akuzuan kryedemokratin për uzurpim me vendimin për shpalljen e garës për drejtuesit e rinj të këtyre dy forumeve. Përpos kohës së Sali Berishës, Basha tha se ka përfunduar edhe koha e mandateve të skaduara, referuar dy forumeve, ndërsa akuzoi se janë përdorur për interesa personale.
Lexo edhe: Basha: Berisha, tub oksigjeni për Ramën, do ta këpus, koha e tij ka mbaruar
“Koha e Sali Berishës ka mbaruar. Bashkë me të ka mbaruar edhe koha e mandateve të skaduara dhe përdorimit të PD-së dhe forumeve të saj për interesa personale. Asgjë dhe askush nuk do ta kthejë PD-në në një bunker për interesat personale të Sali Berishës. Partia Demokratike ka lindur si një aspiratë e popullit shqiptar për liri dhe demokraci, dhe është shpresa e shqiptarëve për të zgjidhur hallet e tyre të shumta. Dhe halli me i madh i shqiptarëve sot është regjimi i Edi Ramës Prej javësh, me zdërhalljet e tij Sali Berisha është kthyer në një tub oksigjeni për regjimin e Edi Rames. Unë jam i vendosur t’ja këpus këtë edhe këtë tub oksigjeni për regjimin Edi Ramës” tha Basha.
Vendimin e kreut të demokratëve për hapjen e garës për forumin që drejton, Vokshi e cilësoi si një ndërhyrje duke akuzuar se po krijohen procedura “sipas dëshirës” në shkelje të statutit të LDGSH. Po ashtu, Albana Vokshi thotë se LDGSH është në përfundim të procesit të anëtarësimeve, organizimit dhe zgjedhjes bazuar në Statutin e LDGSH. Belind Këlliçi deklaroi se vendimi i Bashës është nul duke mos e njohur dhe sot iu bashkua “Foltores”./ Abcnews.al