Reagimi i kreut të opozitës këtë herë ishte i menjëhershëm. Ftesës së përsëritur të kryeminsitrit Rama për të zgjidhur situatën e postit të kryeprokurorit të përkoshëm Lulzim Basha i përgjigjet sërisht duke i vënë vettingun përballë.
Që prokurori i përgjithshëm të luftojë politikanët e korruptuar duhet që ai vetë të mos jetë i inkriminuar dhe kjo, shkruan Basha, mund të garantohet vetëm nëse a ii nënshtrohet procesit të vettingut si parashiohet në Kushtetutë. Kreu i opozitës Basha vijon duke thënë se ky prokuror nuk mund të emërohet nga kryeministri Rama apo Saimir Tahiri, i cili ende sot ka tagrin të jetë një nga 36 votat e nevojshme në parlament sipas socialistëve për të zgjedhur prokurorin e përkoshëm.
Reforma në drejtësi është Kushtetutë – shkruan Basha – dhe ne mbështesim pa asnjë reserve procesin e vettingut të çdo prokurori dhe gjyqtari. Krijimin e KLP-së dhe më pas SPAK-ut e byrosë së hetimit që prej tetë muajsh bllokohen në shkelje flagrante të Kushtetutës, përfundon Lulzim Basha.
Statusi i plotë Lulzim Bashës:
Që Prokurori i Përgjithshëm të luftojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin duhet që ai vetë të mos jetë i korruptuar dhe i inkriminuar. Dhe ka vetëm një mënyrë si mund të garantohet kjo gjë: ai duhet t’i nënshtrohet procesit të vetingut, siç e parashikon reforma në drejtësi e sanksionuar në Kushtetutë.
Që Prokurori i Përgjithshëm të mos jetë produkt i politikës, ai nuk mund të përzgjidhet dhe emërohet nga Edi Rama dhe Sajmir Tahiri, por nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe tre të pestat e Kuvendit siç e kërkon Kushtetuta.
Reforma në drejtësi është në Kushtetutë. Nuk ka reformë në drejtësi jashtë Kushtetutës. Drejtësia arrihet pikërisht përmes zbatimit të Kushtetutës dhe jo pazareve partiake.
Ne mbeshtesim pa asnjë rezervë procesin e vetingut të çdo prokurori dhe gjyqtari. Ne kërkojmë krijimin e menjëhershëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që të krijohet menjëherë SPAK dhe byroja e hetimit që do të hetojë politikanët e korruptuar dhe krimin. Ka tetë muaj që në shkelje flagrante të Kushtetutës mbahet peng krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ndaj ne bëjmë thirrje që kjo situatë të zhbllokohet menjëherë, që reforma në drejtësi të zbatohet ashtu siç e parashikon Kushtetuta./abcnews.al