Basha e Berisha reagojnë pas vendimit të gjykatës për protestuesit

schedule18:00 - 4 Prill, 2018

schedule 18:00 - 4 Prill, 2018

Kreu i opozitës Lulzim Basha pas vednimit të gjykatës tiranë për lënien në arrest me burg për 11 protestues të rrugës së Kombit, nga selia blu i tha gazetarëve se kjo është prova që kryeministri ka privatizuar shtetin. Opozita, theksoi Basha, do të mbështesë çdo protestë qytetare si ajo e paralajmëruar për bllokimin e disa akseve rrugore. I menjëhershëm ishte dhe reagimi i ish kryeministrit Sali Berisha.

Pas leximit të vendimit të gjyqtares ndaj 23 të ndaluarve pas protestës së rrugës së kombit, që la në burg 11 prej tyre, deputetët demokrat iu drejtuan selisë blu, nga ku kryetari Lulzim Basha argumentoi faktimin sipas tij të privatizimit të shtetit dhe pushteteve nga Edi Rama.

“Edi Rama e ka privatizuar shtetin në funksion të grabitjes së qytetarëve.

Edi Rama, ka privatizuar policinë, gjykatat, prokurorinë, për të vazhduar grabitjen e shqiptarëve dhe për të pamundësuar drejtësinë e vërtetë.

Ka privatizuar policinë e shtetit, që sot bëri shtetrrethim në Tiranë.Ka privatizuar prokurorinë që nuk guxoi të çonte një dhunues të protestuesve para gjykatës. Ka privatizuar gjykatën që sot dhunoi deputetët e opozitës, në shkelje flagrante të ligjit, sepse nuk donte që deputetët e opozitës dhe shqiptarët, përmes tyre, të dëgjonin dëshmitë tronditëse të qytetarëve të pafajshëm të Kukësit, të grabitur në mes të natës sepse protestuan për bukën e gojës. Ky është një regjim që shkel dhe nëpërkëmb liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

Katër ditët e fundit keni parë se si gjykatat, prokuroria, policia por edhe gjykata kanë shkelur dhe nëpërkëmbur të drejtat e qytetarëve të pafajshëm që protestonin për të drejtat e tyre legjitime, si Lulzim Popa, invalid që u grabit të mes të natës dhe u mbajt dy ditë pa ilaçet e tij duke i terrorizuar nipër e mbesa. U ngrit sepse s’kishte para për ëun që i vunë tek dera e shtëpisë”.

Burgos qytetarët për të lënë të lirë Saimir Tahirin, Vangjush Dakon dhe Damian Gjiknurin, thekson Basha.

“Çfarë lidhje ka ky regjim, që e liron Orest Sotën të kapur me 860 mijë në makinë, me makinat e Sajmir Tahirit dhe mban në burg Florin Onuzin, babain e tre fëmijëve të grabitur në mes të natës, pasi i kishin terrorizuar fëmijët, sikur të ishte terrorist.”

Por privatizimi i çdo hapësire nga shefi i ekzekutivit nuk arrin dot popullin shqiptar tha Lulzim Basha i cili shpalli mbështetjen e protestave të paralajmëruara për ditën e enjte.

“Ne do të jemi aty, siç kemi qenë sot në krahë të qytetarëve të pafajshëm kuksianë. Do të jemi nesër në protestat e njoftuara nga qytetarët, nga sipërmarrësit e vegjël, nga fermerët, nga qytetarët që janë larguar nga ndihma ekonomike, në Bradashesh, në Milot, në Vorë dhe në Çermë. Do të jemi në krahë të tyre. Një popull i bashkuar që do t’i rezistojë me të gjitha format dhe mënyrat demokratike, është garancia se kjo diktaturë dhe tirani e krimit, i ka orët e numëruara.

I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të ndershëm, dhe socialistëve të ndershëm, ta refuzojnë privatizimin e shtetit nga kjo bandë kriminale në pushtet, e cila nuk ka drejtësi për kriminelët, i lë të lirë kriminelët dhe fut në burg popullin”.

Thirrja për revoltë të përgjithshme popullore erdhi edhe nga ish-kryeministri Berisha, i cili përmes rrjetit social Facebook e quajti vendimin hakmarrës, politik dhe antikushtetues. Ky vendim që lë në burg dhe arrest shtëpie shumicën e protestuesve të pafajshëm është thirrje për çdo shqiptar të përmbysim sa më parë ëktë klikë të urryer për shqiptarët, përfundon Sali Berisha./abcnews.al