Në 8 dhjetor, si çdo vit, nderuan liderin dhe lëvizjen studentore të 90-s që solli ndryshimin e madh. Kreu i demokratëve Basha, lideri i tyre historik Berisha, ish-Presidenti Nishani dhe drejtues të lartë demokratë, mes shumë qytetarësh, në Qytetin Studenti pranë bustit të Azem Hajdarit kujtuan në këtë Ditë të Rinisë si 28 vite më parë studentët nxitën rrëzimin e regjimit komunist.
Sali Berisha: “Janë ditët e gjenezës në 28 vite kemi pasur ditë të mëdha, të bekuara edhe të vështira, por ditët e dhjetorit 90 janë ditët e gjenezës në këto tre dekada të kombit shqiptar. Për mua janë ditët ku unë përjetova mrekullinë më të madhe të jetës sime sepse, ato ditë unë do të kisha përballë, një grup studentësh 500 por edhe 1000 që në rrugën afër rrugës Elbasanit ishin pozicionuar përball autoblindave tankeve, të gjitha llojeve të armëve. Ishin të vetmuar, 15-16 qytetarë ishin afër tyre, por ishin të pamposhtur ishin heronj. Azem Hajdari formuloi ultimatumin ose lironi studentët, ose sheshin e bëjmë copa. Është Azem Hajdari që bëri gjithçka për kërkesën e pluralizimit politik, e miratoi në këtë shesh”.
Një konsideratë për protestën disa ditore të studentëve që protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit.
“Sot prej 4 ditësh kemi një dhjetor të dytë. Studentët në lëvizjen e tyre po ngjallin shpresat shqiptarëve. Dhe unë do u shpreh atyre mbështetjen më të fuqishme duke iu bërë thirrje shqiptarëve t’i mbështesin më të gjithë mundësitë e tyre”.
Të tillë e heq paralelizmin edhe kreu i demokratëve Basha.
Lulzim Basha: “Kjo ditë na kujton se vetëm ata që ngrihen janë të lirë, të bashkuar mposhtin diktaturat. Është festa ime ndaj çdo qytetari, leksionin e parë po e japin studentët e bashkuar të dhjetorit të dytë. Ndaj, mos ta harrojmë këtë mësim, është ftesa ime e parë ndaj çdo qytetari sot. Është leksioni i parë që po japin studentët e bashkuar të dhjetorit të dytë. Ky është leksioni se për liritë luftohet çdo ditë dhe se liria mbrohet çdo ditë. Një qeveri që nuk ka frikë qytetarët, që nuk ka frikë popullin e saj, ngrihet çdo ditë kundër tyre, abuzon, dhunon liritë e tyre, dhunon jetën e tyre, dhunon pronat e tyre, dhunon dinjitetin e tyre. Kjo ka vite që ndodh në Shqipëri”.
Ndaj një ultimatum.
“Le ta japim sot nga ky shesh ultimatumin politik si testament të Azem Hajdarit dhe të studentëve të Dhjetorit 1990, si dëshirë dhe aspiratë të çdo shqiptari pavarësisht bindjeve politike. Parlamenti shqiptar ose do të pastrohet nga krimi e t’i kthehet qytetarëve, ose do të rrëzohet! Do të rrëzohet! Do të rrëzohet!”
Gjatë aktivitetit u shfaq një dokumentar për dhjetorin ’90./abcnews.al