Për 2 orë e 20 minuta kryedemokrati Lulzim Basha është marrë në pyetje mbrëmjen e sotme nga prokurorët belgë në lidhje me dosjen e Toyota Yaris. Në dalje nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion, Basha deklaroi se drejtësia belge është e vendosur të shkojë deri në fund të kësaj çështje ndërsa shtoi se është i gatshëm të bashkëpunojë, duan apo nuk duan non gratat e shpallur apo pa shpallur deri më tani.
“Hetimi në Belgjikë dhe drejtësia belge është e vendosur të shkojë deri në fund. Sa herë të jetë e nevojshme do të bashkëpunoj me drejtësinë belge dhe të çdo vendi partner në luftën kundër krimit të organizuar dhe në veçanti lidhjet e politikës me krimin. Ky është një mision jo vetëm i imi por i por i PD. Ky është një proces që bëhet. Krimi i organizuar është një fenomen kudo për përmasat e bashkëpunimit me politikën në Shqipëri janë unike.
Një gjë dua të siguroj që unë dhe PD jo vetëm jemi në dispozicion të drejtësisë belge por do të vazhdojmë të jemi aktivë në luftën kundër krimit të organizuar duan apo nuk duan non gratat e shpallur apo të pa shpallur. Unë kam lirinë time dhe lirinë time nuk ma merr dot askush sepse unë luftoj për lirinë tuaj. Nëse nuk ju pëlqen merrni kamerat dhe largohuni”, tha Basha.
Kreu demokrat tha se shqiptarëve u është thënë se paratë e konfiskuara në vitin 2018 në automjetin tip Toyota Yaris janë ndarë mes politikanëve, por shtoi se kjo nuk është e vërtetë pasi ato janë konfiskuar dhe hetimi vazhdon.
“U është thënë shqiptarëve që çështja e mbyllur dhe janë ndarë paratë mes politikanëve. Paratë janë konfiskuar. Hetimi vazhdon. Punonjësit e SPAK dhe BKH kanë dhe do kenë mbështetjen e PD për të ecur përpara me hetimin e çështjeve në juridiksionin e tyre. Nuk janë vartësit e askujt veç ligjit shqiptar. Lufta me krimin është bërë e rreptë. Isha në rolin e personit që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes. Prokurorët belgë kanë pasur një qëllim përtej intervistimit tim. Kam bindjen me aq sa ndava me prokurorët belgë, në hetimet në zhvillim e sipër nuk mund të flas për detaje të tjera”, deklaroi numri një i PD. /abcnews.al