Basha: 2 portat e Edi Ramës dhe bllofi në shkarkimin e presidentit

schedule17:29 - 10 Qershor, 2019

schedule 17:29 - 10 Qershor, 2019

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një dalje për mediat ditën e sotme deklaroi se Presidentin Ilir Meta nuk mund ta shkarkojë askush, pasi për shkarkimin e tij mund të shprehet vetëm gjykata kushtetuese, e cila është shkatërruar, sipas Bashës, nga Edi Rama. Më tej Basha deklaroi se zgjedhjet në 30 qershor nuk mund të mbahen. Kreu i demokratëve garantoi gjithashtu se nuk do të ketë kompromis me askënd dhe nuk do pushoj së luftuari derisa Rama të largohet.

“Kush do ta gjykojë dhe shkarkojë Presidentin? Ilir Ndrazhi përfaqësuesi politik i bandës së Avydylajve apo Jurgis Çyrbja, përfaqësuesi politik i bandës së Shullazit, Rrahman Rrahja apo Luan Harusha përfaqësuesi i bandës së Bajrave, apo Reme Lala, përfaqësuesja e familjes kriminale Lala? Kush do ta gjykojë dhe shkarkojë Presidentin, Damian Gjiknuri që donte të pastronte 30 milonë euro për llogari të Edi Ramës, duke fallsifikuar edhe dokumentat zyrtare të qeverisë amerikane? Apo Arben Ahmetaj përfaqësuesi i një klani mafioz ndërkombëtar të plehrave? Apo Taulanti i Begos dhe i Toyota Yaris? Vendimi i Presidentit i shërben opinionit publik. E mbështes atë, por fjala i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese. Nuk më takon as mua të gjykoj vendimin e Presidentit, ndonëse e mbështes plotësisht. Politikisht unë mund të them që zgjedhjet moniste nuk janë zgjedhje. Politikisht unë mund të them se vendimi kushtetues dhe i përgjegjshëm i Presidentit i shërben njerëzve dhe interesit publik. Përtej cdo mendimi individual, ka një dhe vetëm një institucion që mund të shprehet: Gjykata Kushtetuese. Këtë Gjykatë e ka shkatërruar me krenari dhe mburrje Edi Rama, sikurse ka shkatërruar edhe Gjykatën e Lartë, dhe ajo sot nuk mund të shprehet“, tha Basha.

Më tej Basha tha se Edi Rama po luan bllofin kur flet për shkarkimin e presidentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor, sipas Bashës këto përbetime Kryeministri Rama, as nuk i mban dhe as nuk i provon dot.

Shkarkimi i Metës, bllof i Ramës. Ka 2 të vërteta. Zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë. Presidenti nuk do të shkarkohet. Është një periudhë e mjegullt politike, shqetësuese dhe ngatërruese për njerëzit, prandaj dua të ndaj me ju disa të vërteta dhe mendime.

Dua të them që në fillim dy të vërteta:

-Nuk do të ketë zgjedhje lokale në 30 qershor.

-Nuk do të shkarkojë kush Presidentin e Republikës.

Edi Rama po përpiqet të bombardojë opinionin publik me dy përbetime, që ai as nuk i mban dot, dhe as nuk ka interes t’i provojë:

-Ai po përbetohet se do t’i mbajë zgjedhjet edhe pa dekret presidencial, edhe pa pjesëmarrje politike.

-Ai po përbetohet gjithashtu se do të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit.

Janë të dyja bllofe dhe zhurmë me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes tuaj. Edi Rama nuk do që të flitet për krimin, drogën dhe vjedhjet e tij të përditshme. Ai nuk do që të flitet për Avdylajt dhe Dakot, për Çyrbet dhe Shullazët, për Gjiknurët, Manjat dhe Lalët“, deklaroi Basha./abcnews.al