Një barrikadë e re prej tre kamionësh është vendosur mëngjesin e sotëm tek udhëkryqi afër shkollës teknike, në veri të Mitrovicës, raporton KosovaPress.
Kjo është barrikada e parë e vendosur në qytet, ndërsa e 12-ta prej datës 10 dhjetor kur bandat kriminale serbe vendosën barrikadat e para.
Pengesa e re pamundëson lëvizjen e lirë në qytet, ndërsa deri më tash të bllokuara ishin rrugët magjistrale.
Që nga 10 dhjetori grupe të ndryshme të qytetarëve serbë kanë ngritur barrikada në disa pika në pjesën veriore të Kosovës, për të kundërshtuar arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.
Ai u arrestua nën dyshimin për sulm kundër anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Barrikadat në veri po vëzhgohen nga Policisa e Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.