Sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi lëshoi akuza të forta ditën e sotme kundër ish-deputetit demokrat Keltis Kruja, i cili u shfaq mbrëmjen e djeshme në krah të Sali Berishës në momentin që ish-kryeministri njoftoi mbledhjen e 4200 firmave të delegatëve për të thirrur Kuvendin në 11 Dhjetor.
Bardhi tha se Kruja në zgjedhjet e 25 Prillit ishte shef i shtabit të Orlando Rakipit, djalit të Aqif Rakipit në Vorë, ndërsa sot, shtoi ai, kërkon të verifikojë firmat e delegatëve të PD-së. Një gjë e tillë, tha numri dy i PD-së, nuk ka për të ndodhur.
Lexo edhe: Gazment Bardhi sfidon Berishën: U talle me demokratët, nëse i ke firmat po pres t’i sjellësh
“Ish-deputeti i PD, Kruja (Keltis Kruja) ka qenë shef i shtabit të Orlando Rakipit e ka pasur përballë Flamur Noka në Vorë dhe për fat të keq për herë të parë pas shumë vitesh kemi pasur rezultatin më të dobët në histori edhe më keq se në 2017 dhe Vora është partia që ka nxjerr deputet Orlando Rakipin.
Lexo edhe: Bardhi: Tollovia e Berishës dhe “Qifja” që i mbush sallat e “Foltores”
Zotëria që do të verifikojë mandatet e PD-së ka votuar nr. 12, që ka qenë numri i PS-së Edi Rama dhe 30-ta numri i Rakipit. Ai duke i shërbyer regjimit të Edi Ramës dhe demokratët duke luftuar për të ardhur në pushtet” tha ai.
Jo vetëm kaq. Ai kishte edhe një tjetër akuzë. “Njëri prej tyre që mbante kutinë (me firmat) më fort dhe ka filluar bërtet fort ka qenë anëtar i shtabit të Edmond Haxhinastos në njësinë nr. 4, këta nuk kanë lëvizur një gurë që PD të vijë në pushtet në 25 Prill” tha më tej Gazment Bardhi.
Sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi i bëri thirrje Sali Berishës që nëse i ka siguruar realisht firmat e 4200 delegatëve të Kuvendit Kombëtar të PD-së t’i depozitojë në protokollin e selisë blu dhe jo nga dera e pasme në zyrën e Edi Palokës. Numri dy i PD-së e cilësoi edhe njëherë veprimin e ish-kryeministrit, tallje dhe show, që duhet t’i japë fund.
Prej mbrëmjes së djeshme mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës ka nisur debati për procedurën e dorëzimit të firmave, të cilat ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se janë 4200 dhe ja dorëzoi kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka. E ndërsa e cilësoi tallje, kreu i PD u shpreh sot se ka informacione se Berisha ka bashkëpunuar me kryeministrin Edi Rama për të bërë një “puç” në Partinë Demokratike.
Por mesditën e sotme grupi i Sali Berishës reagoi. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri deklaroi sot se firmat e mbledhura nga “Foltorja” e Sali Berishës do të verifikohen në datë 11 dhjetor përmes një komisioni të ngritur nga vetë Kuvendi. Ai u shpreh se firmat janë dërguar në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar Edi Paloka dhe kushdo që ka kuriozitet t’i shohë ato, mund ta bëjë, por verifikimin sipas tij mund ta bëjë vetëm Kuvendi./ db/Abcnews.al