I ngecur mes SPAK-ut dhe Berishës, Gazmend Bardhi mori kohë përpara se të mbante një qëndim, të cilin e lexoi nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Ne deputetët e opozitës nuk kemi betejë me drejtësinë”.
Gjuha e Bardhit nuk ngjante me atë të Berishës dhe në deklaratën për shtyp drejtësia nuk u sulmua e as u akuzua se po përdoret nga qeveria.
“Personalisht mbështes pa asnjë rezervë barazinë e cilitdo përpara ligjit”.
Por Bardhi u bashkua me ish-kryeministrin, duke kundërshtuar procedurën e ndjekur.
“Të dyja masat e sigurimit kufizojnë lirinë e tij të lëvizjes. Kufizimi i lirisë së lëvizjes së z. Sali Berishës, pa autorizim të Kuvendit, është një shkelje e rëndë kushtetuese që ngre pikëpyetje të forta mbi arsyet e nxitimit të SPAK”.
Deklaron se vota e tij do të shkonte për drejtësinë, dhe jo për partinë.
“Personalisht do të votoja në favor të çdo kërkese të organeve të drejtësisë që do të vinte në Kuvend”.
Edhe pse nuk i përmendi fare akuzat për korrupsion dhe përfitimin e 5 milionë eurove nga Berisha dhe familja e tij, Gazmend Bardhi i kujtoi drejtësisë disa raste për të cilat SPAK nuk ka bërë atë që i bëri ish-kryeministrit.
“Edhe kur nuk jemi dakord me aktet apo vendimet e saj, ne nuk kemi betejë me drejtësinë.
Edhe kur shohim sesi koka e inceneratorëve, Edi Rama, që ka ndryshuar tre herë ligjin e koncesioneve me propozim të Klodian Zotës
Edhe kur shohim sesi Olsi Rama, koka e laboratorit të Xibrakës, nuk është në burg
Edhe kur shohim sesi Arben Ahmetaj lejohet me vetëdije të arratiset nga Shqipëria”
Në fund, Bardhi hoqi dyshimet e një divorci politik me Sali Berishën, duke folur për një aksion të bashkuar opozitar që do të vijojë.
“Dua të siguroj qytetarët se beteja e opozitës së bashkuar me keqqeverisjen e Edi Ramës, ka qenë dhe do të jetë e pakompromis, me çdo kosto, me çdo mjet demokratik”./abcnews.al