Për herë të parë pas 137 vjetësh, autoritetet në Spanjë kanë dhënë lejen e ndërtimit për kishën e famshme La Sagrada Familia. Përmes lejes synohet që objekti i kultit të përfundohet pas 7 vitesh, sipas skicave të arkitektit Antoni Gaudi’.
Autoritetet vendore në Barcelonë kanë dhënë më në fund lejen për përfundimin e një prej atraksioneve turistike më të famshme të qytetit. Bëhet fjalë për kishën La Sagrada Familia, leja për të cilën është dhënë 137 vjet që pas vendosjes së gurit të parë të saj. Leja e ndërtimit parashikon që punimet për kompletimin e saj të vazhdojnë deri në vitin 2026. Ndërkohë, mbeten të paqarta motivet përse një leje e tillë nuk ishte lëshuar më herët nga autoritetet. E projektuar nga arkitekti Antoni Gaudi, objekti pritet të përfundojë pas 7 vjetësh, që përkon edhe me 100-vjetorin e vdekjes së krijuesit të saj.
Autoritetet deklaruan se pushteti lokal do të paguhet 4.6 milionë euro për lejen, në kuadër të një marrëveshjeje me fondacionin e kishës, që është përgjegjëse për përfundimin dhe mirëmbajtjen e la Sagrada Familia. “Marrëveshja i jep fund një anomalie historike në qytetin tonë”, deklaroi Hanet Sanz, nënkryetare e bashkisë së Barcelonës. Objekti, pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s, vizitohet çdo vit nga 4.5 milionë njerëz, ndërkohë që 20 milionë është numri i atyre që zgjedhin të vizitojnë sheshin për ta parë atë nga jashtë. Faza finale e ndërtimit të la Sagrada Familia do të bazohet tek modelet e ndërtuara me allçi nga arkitekti Gaudi dhe në kopjet e vizatimeve origjinale të tij, që u shkatërruan nga një zjarr i rënë në vitet ’30./ABC News Albania 24/7