Barcelona-Valencia luajnë sot për finalen e kupës së mbretit

schedule15:06 - 25 Maj, 2019

schedule 15:06 - 25 Maj, 2019

Barcelona dhe Valencia luajnë sonte, në orën 21:00, finalen e Kupës së Mbretit në Spanjë. Katalanasit cilësohen favoritë, por presioni është i madh pas humbjes me Liverpulin në Champions.

BARCELONA E VALENCIA LUAJNE SONTE FINALEN E KUPES SE MBRETIT. KATALANASIT DUAN TE HARROJNE LIVERPULIN

Përpara gazetarëve kush nuk kishte dalë.

Trajneri Valverde natyrisht, apo edhe Luis Enrike para tij, por ashtu shokët e skuadrës si Gerard Pike, Luis Suarez, Sergio Buskets apo edhe Ter Shtegen.

Prej 4 vitesh, Lionel Mesi nuk e kishte pasur aspak me dëshirë të fliste me mediat, madje as këtë sezon kur u bë kapiten.

Çfarë ndodhi që numri 10 e prishi këtë rregull dhe u detyrua të paraqitej “nën armë” në sallën e konferencave në Qytetin Sportiv Zhoan Gamper.

Është prag-finalja e Kupës së Mbretit ndaj Valencias, një ndeshje që duhet fituar me patjetër, sidomos për të hequr disi shijen e keqe të kapitullimit në Liverpul për Championsin.

Pikërisht eleminimi i rëndë në “Anfild” e ka kthyer në një dështim sezonin shumë të mirë të katalanasve.

“Ishte shumë e rëndë, por duhet ta lemë pas dhe të fitojmë trofeun e dytë. Na ndodhi vjet në Romë, kur vendasit shënuan shpejt. Ne thoshim që nuk duhet të përsëritet, por ja që u përsërit, në pjesën e parë reaguam mirë, por pas pushimit u dorëzuam, dhe në fushë ishte vetëm një skuadër”, tha Mesi.

Trajneri Ernesto Valverde është vënë në dyshim pas katastrofës në Angli, ndonëse presidenti Bartomeu dhe vetë Mesi i kanë dalë në krah.

“Nuk është se mendoj shumë për të ardhmen time, sepse nuk ka kuptim, e vetmja gjë që duhet të na shqetësojë është si ta luajmë dhe ta fitojmë finale. Natyrisht, për eliminimin kemi përgjegjësi të gjithë, pra padyshim edhe trajneri. Nuk është se ndjej presion dhe kam besim se do t’ia dalim”, tha ai.

Barcelona pritet të ketë një skuadër pa mungesa të rëndësishme pasi Semedo dhe Artur u stërvitën para finales, dhe po ashtu ka shpresa për Kutinjon, ndërsa synohet titulli i pestë radhazi, dhe i 31-ta në histori.

Valencia, ndërkaq, ka postuar një video të sukseseve të saj në Kupën e Mbretit, duke rikujtuar trofetë e fituara, plot 7, që nga viti 1941 e deri në 2008.

Pra, synohet sukses pas plot 11 vjetëve.

Tifozët valencianë janë zhvendosur ndërkohë në Sevilje, ku do të luhet finalja, sonte në orën 21:00.

Për ta është ditë feste, dhe shpresojnë që përfundimi të jetë i lumtur, pra të kthehen me kupën në duar, në qytetin e tyre.

Trajneri Marselino nuk do të ketë lojtarin rus, Çerishev, ndërsa mbrojtësi i qendrës, Ezekiel Garai, është në dyshim.

“Është një moment shumë i veçantë, sepse jemi përpara një finaleje, nuk na qëllon të luajmë shpesh ndeshje të tilla, ndryshe nga Barcelona që e ka të zakonshme. Gjithsesi, edhe Valencia ka luajtur disa herë. Jemi këtu për të fituar Kupën. Nuk besoj se tek Barça do të ndikojë humbja me Liverpulin, apo që tek ne do të ndikojë kualifikimi për në Champions. Do të fitojë ai që do të luajë më mirë dhe do të gabojë më pak”, tha Marselino.

Valencia arriti finalen pasi kaloi me radhë Ebron, Gihonin, Getafen dhe Betisin.

Barcelona, skuadra e cilësuar si favorite për finalen, pati rrugë më të vështirë, sepse pas Kultural Leonesës, erdhën Levante, Sevilja dhe vetë Reali i Madridit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!