Barcelona shkëlqen në Champions me Mesin

schedule12:58 - 4 Tetor, 2018

schedule 12:58 - 4 Tetor, 2018

Liga e Kampionëve pati protagonistë të rëndësishëm në ndeshjet e fundit. Lionel Mesi shkëlqeu në fitoren e Barcelonës, por të suksesshme ishin edhe skuadrat italiane.

I duhej të reagonte dhe të udhëhiqte të vetët.

Lionel Mesi ishte nën presion pas serisë së rezultateve negative të Barcelonës në ligën spanjolle, dhe ai u përgjigj si kampion.

Në stadiumin mitik “Uembli”, dha shfaqjen e radhës në karrierë, duke bërë ekipin e tij të shkëlqente në Champions, ndërsa varësia nga ai mbetet e plotë.

Shënoi dy gola në fitoren 4-2 ndaj Totenhemit, krijoi gjithçka tjetër, si dhe goditi dy herë shtyllën.

“Uembli” ka qenë gjithnjë arena e tij, si në finalet e Championsit në 2009 e 2011 ndaj Mançester Junajtidit, ku shënoi 3 gola gjithsej, dhe I fitoi të dy trofetë.

Ishte një duel direkt golshënuesish me Harri Kejnin, kapitenin e Anglisë dhe liderin e Totenhemit, duel që argjentinasi e fitoi.

Përsa I përket klasit, dueli mbetet me Ronaldon, Mbapenë, Modriçin apo Nejmarin.

Mesi arriti në 105 gola në Champions, në ndjekje të rekordit të Ronaldos me 121, ndërsa Barcelona mbajti kreun e grupit B me 6 pikë në dy ndeshje.

Mediat katalanase nuk u kursyen.

“El Mundo Deportivo” bën lojë fjalësh: “UembLeo! Klas mjeshtëror I Mesit në Londër, shënoi dy gola, krijoi gjithçka tjetër dhe goditi dy herë shtyllat!

“Sport”: Mbreti! Barça reagoi madhërishëm në “Uembli” ndaj Totenhemit, me një shfaqje të Mesit, 2 gola, 2 shtylla!

Gjithsesi, Barça nuk është pa rival, madje tepër klasik.

Në grupin B, po 6 pikë ka edhe Interi i trajnerit Luçiano Spaleti, që duket se e ka lënë pas fillimin e keq të sezonit.

Italianët triumfuan 2-1 në fushën e PSV Ajndhovenit, falë golave të Raxha Naingolanit e kapitenit Mauro Ikardi, që e bënë të pavlefshme epërsinë fillestare të holandezëve.

Mediat italiane mburrën milanezët, por edhe Napolin.

“La Gazeta delo Sport”: Itali e madhe, 4 në 4 në Champions! Napoli, Euro Bum! Gjithnjë Insinje, në triumfin ndaj Liverpuli! Inter, yll europian, Naingolan dhe Ikardi firmosin goditjen në Ajndhoven!

“Il Korriere delo Sport”: Po! Të kaltrit për çmenduri, mundin Liverpulin në minutën e 90-të dhe dalin në krye të grupit! Është Interi i Mauros!

“Tutosport”: Champions, Insinje! Napoli je madhështor! Ninja-Ikardi për të ulëritur! Inter sheh turin e dytë!

Ja pra, Napoli i Ançelotit.

Ekip që mund të shkatërrohet në fushën e Sampdorias, por që është në gjendje të thyejë nënkampionen e Europës, Liverpulin.

I zakonshmi Lorenco Insinje i dha fitoren italianëve pikërisht në minutën e fundit, por ishte një sukses i merituar, ndërsa formacioni anglez i Klopit kuptoi se i duhet ende të përmirësohet për të qenë favorit në Champions, ashtu siç është në Premier Ligë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!