Kështu ka qenë edhe në kohën e Mesit. Barcelona shpesh zhgënjente krejt papritur në Champions, por kur vinte puna tek La Liga, ajo dukej sikur fitohej me sytë mbyllur.
Ndoshta kështu po ndodh edhe tani, ndërsa skuadra katalanase nuk është dukur aspak dominante në Europë. Suksesi 3-1 në “Kamp Nou” ndaj Atletikos nuk ishte thjesht një ndeshje për tri pikë, por një konfirmim se Barça është padyshim mjaft e fortë.
Të paktën në Spanjë, dhe kjo nuk është pak. Tregoi edhe karakter, pasi përmbysi rezultatin pasi miqtë nga Madridi kaluan në epërsi falë rrjetës nga Aleks Baena që në 19’.
Rafinja, I kthyer nga dëmtimi, dhe me shiritin e kapitenit në krah, tregoi sesa shumë ishte ndjerë mungesa e tij. Sulmuesi brazilian barazoi në 26’ dhe skuadra e trajnerit Hansi Flik përballoi edhe mungesën e fatit, kur Robert Levandovski humbi penalltinë.
Gjithsesi, “blaugranëve” nuk mund t’u mohohej fitorja. Kjo u arrit kur Dani Olmo shënoi në 65’ dhe Ferran Torres i vuri vulën në minutën e 7-të shtesë.
Nuk ishte aspak e lehtë, dhe nuk mund të ndodhte ndryshe ndaj një kundërshtari me Diego Pablo Simeonen në stol.
“El Mundo Deportivo” e ka gëzimin të dyfishtë, për ekipin blaugrana që është edhe më shumë lider, dhe për Spanjën kampione e Ligës së Kombeve për femra.
E njëjta ide në kopertivë për gazetën tjetër katalanase, “Sport”, veçse me përmbysja: Spanja mban kreun e vendit, ndërsa Barça vjen më poshtë me titullin: Sa të mëdhenj!
Nga Madridi, “Marka” thekson se jo më kot Çolo Simeone veçoi Rafinjën në konferencën para ndeshjes.
Barcelona kryeson La Ligën me 37 pikë, ndërsa Reali mund të afrohet në 1 pikë nëse fiton sonte në fushën e Bilbaos./abcnews.al

