Barcelona në festë

schedule13:28 - 28 Prill, 2019

schedule 13:28 - 28 Prill, 2019

Festë në Barcelonë për titullin kampion në La Liga. Skuadra katalanase vazhdon dominimin në Spanjë, ndërsa Lionel Mesi synon të thyejë rekorde të tjerë.

Kur fitorja nënkuptohet, ky quhet maksimumi.

Fjalët e trajnerit Ernesto Valverde ishin si një citat që duhet vendosur me shkronja të arta në “Camp Nou”, të vërtetuara nga mënyra sesi Barcelona e fitoi këtë titull kampion në Spanjë.

E jashtëzakonshme nuk ishte ndeshja që e siguroi në mënyrë automatike, që u mor me rezultat minimal, por gjithë sezoni në La Liga, të cilin katalanasit e dominuan që nga fillimi deri në fund.

Me 83 pikë janë 9 pikë përpara vendit të dytë, Atletikos, ndërsa diferenca me Realin është shumë më e madhe.

Për më tepër, Barça bëri të vetin titullin e 8-të në 11 vitet e fundit, një sundim I jashtëzakonshëm nëse kujton se përballë ka pasur madrilenët, katër herë kampionë të Europës që nga 2014-ta, klubin më të fuqishëm financiarisht në botë.

Natyrisht, gjithçka është rrotulluar rreth një lojtari të vetëm.

Lionel Mesi është me diferencë, futbollisti më I rëndësishëm në rruzull për një skuadër futbolli, siç e tregoi edhe ndaj Levantes, duke hyrë në fushë në pjesën e dytë, e duke siguruar fitoren.

Gazeta “Marka” vendos në kopertinë një foto të Mesit me njërin prej djemve, me titullin “10-ta e 10-ës”! Mesi vulos Ligën e tij dhe është 2 tituj larg Gentos!

“El Mundo Deportivo” e Barcelonës shkruan fjalën “kampionë”, por si një vazhdim të sukseve, dhe thekson: 8 nga 11, për titujt e fituar nga katalanasit vitet e fundit!

Gazeta “Sport” po në Katalonjë është edhe më e prerë: Liga është e Mesit!

Vetë argjentinasi ka 10 tituj në karrierë në La Liga, rekordi i Barçës, barazim me legjendën Telmo Zarra, dhe synon tani legjendën tjetër, Fransisko Genton e Realit që ka 12.

Me 417 gola thellon gjithnjë e më shumë rekordin personal të rrjetave në Primera Divizion, ku ka luajtur 450 ndeshje.

Me 34 gola në kampionat është i sigurt se do të fitojë Këpucën e Artë për herë të gjashtë, një rekord, por besohet se mund të fitojë edhe Këpucën e Artë të Europës.

“Është diçka e madhe kur fitoren e titullit e kthen në diçka që nënkuptohet, që pritet, – u shpreh Valverde, – nuk është e lehtë që të fitosh kampionatin me diferencë, në një ligë me kaq shumë konkurrencë. Nuk qe e lehtë të fitohej kjo ndeshje, pasi ishim nervozë, por ia dolëm. Mesi është epiqendra e gjithë sukseseve tona, ai dëshironte të luante, por kemi ndeshje edhe të mërkurën, ndaj duhej bërë kujdes”.

Vetë Mesi nuk foli për kamerat pas duelit, ndërsa klubi zgjodhi lojtarë të tjerë.

Të gjithë, Lengle, Sergi Roberto, Malkom, Rakitiç apo Sergio Buskets, u shprehën të lumtur që arritën një qëllim tepër të madh, dhe deklaruan se tani do të përqendrohen tek Championsi.

Tifozët e ndoqën me shumë emocion ndeshjen e fundit, edhe pse e dinin se skuadra e tyre e kishte titullin në xhep.

Për më shumë se 90 minuta, ata mbushën sheshin Kanaletas, dhe festuan gjatë pas triumfit, duke qenë të bindur se nuk do të jetë i fundit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!