Barcelona në Dortmund, në nisje të Championsit

schedule13:50 - 17 Shtator, 2019

schedule 13:50 - 17 Shtator, 2019

Barcelona nis sezonin e ri të Ligës së Kampionëve, me një ndeshje të vështirë në fushën e Dortmundit. Mesi është i gatshëm, por katalanasit duhet të tregojnë se e kanë lënë pas katastrofën e Liverpulit.

Nuk mund të bëhej sërish i njëjti premtim. Yjet e Barcelonës e mbajtën gojën mbyllur para fillimit të sezonit të ri të Championsit, ndryshe nga vjet kur Mesi dha fjalën për trofeun, por gjithsesi argjentinasi e dha një lajm të mirë.

Kapiteni u kthye në kohë për duelin në Dortmund, u bashkua me shokët e skuadrës në stërvitje, dhe po ashtu në udhëtimin drejt Gjermanisë.

Një lehtësim për trajnerin Ernesto Valverde, ndonëse është e qartë se numri 10 nuk mund të jetë në formën maksimale, pasi nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare këtë sezon.

Katalanasve u mungojnë edhe sulmuesi Dembele dhe mbrojtësi Ymtiti, por të gjithë yjet e tjerë janë të gatshëm, si dhe në formë të mirë pas fitores në kampionat ndaj Valencias.

Adoleshenti Ansu Fati mund të bëhet më i riu debutues për Barçën në Champions. Sfida do të jetë në stadiumin e famshëm “Signal Iduna Park”, ku pritet ta ndjekin 80 000 tifozë.

“Kemi besim tek rezultati pozitiv, veçse e dimë se do të luajmë një duel tepër të fortë, – u shpreh Valverde, – nuk është e lehtë të luhet në këtë stadium, dhe ndaj këtij kundërshtari, pasi Dortmundi kohët e fundit është forcuar shumë. Jam i lumtur për Mesin, ndonëse do të synonim rezultat edhe pa të”.

Dortmundi ka ngritje dhe ulje, por gjithsesi, ndihet shumë mirë.

Përtej humbjes me Unionin e Berlinit, edicioni në Bundesligë ka nisur mirë dhe trajneri Lysien Favre shpreson që ekipi i tij të jetë më i pjekur tani.

Me kapitenin Marko Rojs, sulmuesin spanjoll Alkaser, talentin anglez Sanço apo veteranin Humels në mbrojtje, Borusia duket se i ka të gjitha kartat në rregull edhe përballë një rivali si Barça.

Mungesat e vetme janë ato të Shulcit dhe Pishçekut, ndonëse polaku ka pak shpresë të ulet në stol.

“Jemi të lumtur që do të ndeshemi me Barcelonën, – ishin fjalët e teknikut zviceran, – e ndjeja që përpara shortit se do të ishim në një grup me të. E dimë se nuk do të jetë e lehtë, por do të luajmë për fitore. Do të na ndihmojë shumë prania e tifozëve tanë. Nuk e di nëse Mesi do të luajë apo jo, por di që Barça luan ndryshe pa të, dhe është shumë e rrezikshme”.

Vlerësimi i Favresë është i lartë, por Barcelona duhet të bindë skeptikët se ka forcën mendore për të kaluar katastrofën e Liverpulit vjet në Champions, dhe se do të jetë sërish një pretendente për trofe. /ABC News Albania 24/7