Barcelona, “mbretëresha” e golit/ Katalanasit vazhdojnë të shënojnë me “breshëri”

schedule12:38 - 31 Mars, 2025

schedule 12:38 - 31 Mars, 2025

Barcelona është një “makineri golash” këtë sezon. Trajneri Hansi Flik dhe mediat katalanase janë shumë të lumtur pas suksesit të thellë të radhës

Sa shpejt u kthye ekipi I frikshëm i dikurshëm. Barcelona është jo vetëm kryesuese dhe favorite e La Ligës në Spanjë, jo vetëm një nga pretendentët kryesorë në Champions, por edhe një ekip që nuk di të ndalet.
Fitorja 4-1 në shtëpi ndaj Zhironës në kampionat ishte vazhdimi I gjithë sezonit, me gola me “breshëri”. Këtë herë, gjithçka nisi me autogolin e çekut Krejçi, vazhdoi me dy golat nga Robert Levandovski, si dhe u përfundua nga sulmuesi tjetër shumë I mirë, Ferran Torres.

Natyrisht, nuk ishte një shëtitje, pasi miqtë barazuan papritur në 53’, dhe avantazhi 2-1 u gjet pas një ore lojë. Gjithsesi, epërsia ishte e thellë dhe suksesi i merituar. Barcelona bëri 21 gjuajtje ndaj vetëm 4 të Zhironës, 9 në kuadrat, dhe mbajti topin 70 për qind! Shifra që nuk kanë nevojë për koment. Skuadra “blaugrana” ka shënuar 82 gola në kampionat në 29 ndeshje, mbi 2.8 për çdo sfidë.
Në total, në sezon, janë realizuar 139 rrjeta, me mesataren thuajse 3.1 gola për ndeshje. Trajneri Hansi Flik duhet të jetë shumë I kënaqur, apo jo?

“Po, është pikërisht kështu. Kjo gjë na bën të lumtur. Më pëlqen shumë ekipi im, sepse lojtarët gjithmonë duan të shënojnë sa më shumë gola. Gjithmonë ndodh kështu. Lojtarët po bëjnë gjithçka, sulme, kundërsulme, gjuajtje nga larg. Vrapojmë shumë dhe nuk lodhemi. Mentaliteti I ekipit është shumë I mirë. Mendoj se gjithë botës I pëlqen që ne shënojmë gola. Edhe klubi, edhe tifozët janë të lumtur”.

“Si era e Jugut, – është krahasimi I të përditshmes katalanase, “El Mundo Deportivo”, – Barça vazhdon vitin e përsosur 2025! Fitorja e 9-të radhazi!” “Ka vetëm një kryesues, – brohoret “Sport”, – Barça jep një tjetër recital futbolli! Vazhdon seria e fitoreve, jemi favoritë për titullin!” Ky vit është vërtet I shkëlqyer, me 17 fitore, 3 barazime e 0 humbje në kampionat, Kupë, Superkupë e Champions. Katalanasit janë në vend të parë në La Liga me 66 pikë, ndonëse Reali mbetet pranë me 63, kur duhen edhe 9 javë deri në përfundim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!