Barcelona, kampione e dimrit në Spanjë

schedule15:58 - 8 Janar, 2019

schedule 15:58 - 8 Janar, 2019

Barcelona shpallet kampione e dimrit në Spanjë. Katalanasit arritën një fitore të vështirë, ndërsa Reali pësoi një tjetër turpërim, madje brenda në Madrid.

Viti i ri filloi ashtu si i vjetri. Barcelona nisi udhëtimet dhe ndeshjet, një rutinë, që u ndoq nga një tjetër gjë e zakonshme. Në fushën e Getafes, në sfidën e La Ligës, golin e parë për 2019-ën e shënoi Lionel Mesi, dhe ishte viti i katërt radhazi që argjentinasi e bën këtë. Kampionët e Spanjës fituan 2-1, falë edhe një goli të shkëlqyer të Luis Suarezit, dhe u shkëputën në 10 pikë nga rivali më i madh për titullin, Reali. Barazimi 1-1 i Seviljes me Atletikon, bëri që distanca e Barçës me vendin e dytë të rritet në 5 pikë. Gjithsesi, pati kritika.

Getafes iu anulua një gol kur shifrat ishin 0-0, për një faull të diskutueshëm, ndërsa ekipi modest madrilen e vuri në vështirësi rivalin e madh. Gazeta “Marka” ishte e qartë: Ky version i Barçës është i mirë për La Ligën, por jo për Championsin”. Gazeta thekson se katalanasit kanë luhatje të frikshme në lojën e tyre, që mund të ndëshkohen në Europë, siç u ndodhi vjet me Romën.

Gjithsesi, skuadra e trajnerit Valverde duket komode këtë sezon në Spanjë, dhe kjo për faj të Realit, edhe pse sapo u shpall kampion i botës. Madrilenët pësuan turpërimin e radhës, një humbje 0-2 në “Bernabeu” me Sociedadin, edhe pse u përpoqën shumë. Mungesa e qetësisë dhe e ekuilibrit po vret tërësisht sezonin e kampionëve të Europës. Mediat ishin të pamëshirshme.

“Marka”: “Bernabeu” zbrazet dhe ka arsye! Vetëm 53 000 spektatorë ndoqën një katastrofë të re të Realit në La Liga.

Barcelona është kampione e dimrit!

“El Mundo Deportivo” në Barcelonë, vendos në kopertinë foton e Mesit e Suarezit, duke festuar, dhe të Ramosit të dëshpëruar, me titullin: Në 10, pra duke treguar diferencën mes Barçës e Realit!

“Gjithçka shkoi keq për ne, – tha trajneri i Realit, Solari, – pësuam gol shpejt, patëm shumë raste, por nuk i shfrytëzuam, dhe nuk na u dha një penallti e pastër. Gjithsesi, jam i kënaqur me karakterin fitues të ekipit”.

“Nuk mundemi kurrë ta nënvleftësojmë Realin, – theksoi trajneri i Barçës, Valverde, – distanca nuk do të thotë gjë. Jam i kënaqur me fitoren, por e patëm të vështirë me Getafen, një kundërshtar i ashpër për këdo”.

Reali ka ende mundësi për trofe, pasi ndodhet në Champions dhe në Kupën e Mbretit, por mallkimi i kampionatit duket se vazhdon, me vetëm 2 tituj në 10 vitet e fundit. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!