Barcelona fiton Kupën e 30-të të Mbretit në Spanjë

schedule13:14 - 22 Prill, 2018

schedule 13:14 - 22 Prill, 2018

Andres Iniesta i dha fund në mënyrën më të mirë të mundshme karrierës së tij në Kupën e Mbretit në Spanjë. Kapiteni i Barcelonës fitoi një tjetër trofe, ndërsa sezonin e ardhshëm pritet të luajë në Kinë.

Finalja ishte e të gjithëve, por sidomos e këtij njeriu.

Një legjendë është në prag të largimit nga Barcelona, dhe kompeticionin e Kupës së Mbretit e mbylli me lavdi.

Andres Iniesta ishte kapiteni, ishte udhëheqësi, ishte edhe shënues në përballjen e fituar 5-0 ndaj Seviljes në stadiumin “Uanda Metropolitano” të Madridit.

Mbërritur në klubin katalanas në moshën 15-vjeçare, një nga mesfushorët më të mirë të historisë së futbollit, shërbeu për 18 vjet, duke fituar shprehimisht pa fund.

Publiku barcelonist e përcolli me dashurinë maksimale nga kjo kupë, ndërsa do të ketë fatin ta ndjekë edhe për pak ndeshje në La Liga.

Kur trajneri Valverde vendosi t’i jepte një moment të paharruar, duke e zëvendësuar në minutën e 88-të, I gjithë stadiumi u ngrit në këmbë.

Tifozë të Barcelonës dhe të Seviljes e përcollën njësoj lojtarin që e do e gjithë Spanja, atë që shënoi golin e fitores së Kupës së Botës në 2010, dhe atë që nuk krijoi kurrë ndonjë polemikë.

Tridhjetëtrevjeçari nuk mundi t’i përmbante dot lotët.

Ishte pikërisht kapiteni që mori në dorë trofeun nga Mbreti i Spanjës, Filipi i VI-të, ndërsa mediat e cilësuan si “Perandorin e fundit”.

Iniesta pritet të shkojë në Kinë, ndërsa trashëgimtari i tij i denjë do të jetë Filip Kutinjo, e lideri i skuadrës pa dyshim, Lionel Mesi.

Iniesta: “E mbyllëm në mënyrën më të mirë. Jam i lumtur që i dhamë fund kështu këtij kompeticioni që e luajtëm në mënyrë mjeshtërore. Ishim të vendosur që nga minuta e parë deri tek e fundit, dhe ia dolëm. Kjo ishte një ditë për gjithë skuadrën, dhe për gjithë njerëzit tanë. Tashmë, duhet të kthejmë vëmendjen te kampionati, të cilin duhet ta fitojmë. Përsa i përket të ardhmes sime, do ta zbuloj pas një jave, ndonëse nuk duket se është shumë sekret”.

Ndryshe nga sa pritej, finalja ndaj Seviljes thuajse nuk mundi të quhej e tillë.

Epërsia e katalanasve ishte kaq e madhe, saqë kundërshtari u duk tepër i vogël, edhe pse në Champions eleminoi Mançester Junajtidin dhe vuri në vështirësi Bajernin.

Luis Suarez ishte autor i dy golave, Lionel Mesi shënoi një tjetër, një Iniesta, ndërsa një përshëndetje e bëri edhe Kutinjo.

Braziliani falenderoi Mesin që i dha të drejtën të gjuante penalltinë, të cilën e ktheu në gol.

Si ka mundësi që ky ekip kaq i madh u eleminua aq turpshëm nga Liga e Kampionëve vetëm pak ditë më parë?

Trajneri Valverde, i bërë fajtor për disfatën me Romën, nuk deshi të merrej me të shkuarën.

Valverde: “Ishte një ndeshje e luajtur në mënyrë të madhe nga ana jonë, me shumë vendosmëri që nga fillimi. Shënuam golin shpejt dhe kjo na ndihmoi, pasi patëm më shumë hapësira për të goditur kundërshtarin. Sevilja luftoi fort, por pas golit të Iniestës besoj se gjithçka mori fund. Jam i lumtur për trofeun e parë, jam i lumtur për tifozët, dhe jam me fat që kam Mesin në skuadër, i cili gjërat e vështira I bën të duken të lehta”.

Ishte kjo Kupa e 30-të e Mbretit për Barcelonën, një rekord për Spanjën, dhe një triumf totalisht i merituar.

Asnjë skuadër në ligat e rëndësishme europiane nuk mund t’i afrohet kësaj shifre, as Bajerni në Gjermani, Juventusi në Itali, Arsenali në Angli apo Paris SG në Francë.

I vetmi që ka më shumë kupa se Barça, është Gllazgou Rejnxhërsi në Skoci, por në një ligë shumë të vogël.

Publiku katalanas pret tani një tjetër rekord, atë të fitores së titullit kampion pa asnjë humbje, që do të ishte kurorëzimi I një sezoni vërtet të madh. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!