Barcelona e Reali luajnë sot “El Klasikon” La Ligën

schedule15:08 - 28 Tetor, 2018

schedule 15:08 - 28 Tetor, 2018

Do të luhet sot ajo që cilësohet si ndeshja më e madhe e futbollit në botë. Barcelona pret Realin e Madridit, në “El Klasikon” që zhvillohet pa Mesin e Ronaldon, për herë të parë pas një dekade.

Herën e fundit ishin në fushë dhe shënuan. “El Klasiko” bëri diferencën e madhe me çdo sfidë tjetër futbolli në 9 vitet e fundit, sidomos falë Kristiano Ronaldos e Lionel Mesit. Dy lojtarët më të mëdhenj të botës në dekadën e fundit, nuk do të jenë sot në superduelin Barça-Real, të cilit do t’i mungojë magjia e tyre krejt e veçantë. Kapiteni I katalanasve është I dëmtuar, ndërsa ish-ylli madrilen tashmë është bërë juventin. Gjithsesi, ka pasur “El Klasiko” edhe përpara Mesit e Ronaldos, siç e theksoi me të drejtë trajneri I Barcelonës, Valverde.

Ernesto Valverde, trajner i Barcelonës: “Jemi në një moment shumë të mirë, por fitoren mund ta arrijmë duke luajtur siç duhet, jo për shkak të momentit. Pres që të kemi përballë Realin më të fortë të mundshëm, një ekip që krijon shumë raste, dhe që është më I rrezikshëm kur është në vështirësi. Mesi e Ronaldo nuk luajnë, por El Klasikot kanë ekzistuar edhe përpara tyre”.

Nën presion shumë më të madh, kolegu I tij, Lopetegi.

Hulen Lopetegi, trajner i Realit: “Shkojmë në këtë ndeshje duke menduar për veten tonë, por duke e ditur mirë se çfarë kundërshtari do të kemi përballë. Do të përpiqemi të japim maksimumin dhe të marrim gjithashtu maksimumin nga potenciali ynë. Duhet të luajmë një ndeshje të përsosur për t’ia dalë. Barcelona është skuadër e madhe, por gjithashtu edhe ne jemi ekip I madh. Nuk dua të mendoj për fatin tim, në fund të fundit, nuk kam për të vdekur”.

Skuadra preferoi të stërvitej në kompleksin e saj në Madrid, dhe të udhëtonte në mbrëmje për në Katalonjë. Gjithçka shkoi mirë, ndërsa futbollistët u pritën nga shumë tifozë madrilenë në Aeroportin e Barcelonës. Për ndeshjen e sotme të orës 16:15, Barçës do t’i mungojnë përveç Mesit, edhe qendërmbrojtësit Ymtiti e Vermelen. Reali ka më pak shqetësime, me Marselon që duket se e kaloi dëmtimin e Championsit, ndonëse ka dyshime për Mariano Diazin dhe Karvahalin. Parashikimet japin katalanasit si favoritë për fitore me kuotën 1.9, ndërsa madrilenët kanë koeficientin 3.8 për t’ia dalë./abcnews.al