Manchester United u shtang në minutat e fundit mbrëmjen e djeshme në shtëpi kundër Evertonit, ku djemtë e Ole Gunnar Solskjaerit panë t’iu ikte fitorja në sekondat e fundit të sfidës. Trajneri i “Djajve të Kuq” shpreh keqardhje për mënyrën se si u mbyll sfida, por kërkon gjithashtu që ekipi i tij të mos konsiderohet si një nga ekipet pretendente për titullin.
“Ne luajtëm një futboll të mirë në pjesën e dytë, por pësuam tre gola nga tre goditje në portë. Nuk dua të fajësoj askënd për golat, por mund të kishim bërë më mirë si ekip te çdo gol që pësuam. Goli i fundit na bën të shkojmë në shtëpi vërtet të zhgënjyer. Kemi humbur dy pikë, që duhet t’i mbronim”, deklaron norvegjezi.
“Titulli? Nuk po flasim për të. Kjo skuadër ka bërë një rrugë të gjatë deri këtu. Ne nuk duhet të konsiderohemi si pretendentë për titullin, këto zëra i keni krijuar ju më shumë. Më mirë të vazhdojmë se të shohim ku do të përfundojmë. Por, që të ecim përpara duhet të mos pësojmë më gola të tillë”, përfundon Solskjaer. /abcnews.al