Barazimi i “çmendur” i Inter ndaj Benfica, “strategu” Inzaghi ndryshoi gjithçka pushimin e lojës

schedule09:16 - 30 Nëntor, 2023

schedule 09:16 - 30 Nëntor, 2023

Jo më kot konsiderohen, si “të çmendurit” e Italisë. “Zikaltërit” e Inter zhvilluan një lojë me “dy fytyra”, mbrëmjen e së mërkurës së sapo lamë pas, teksa në transfertën e “Estadio da Luz” barazuan me rezultatin 3 me 3, ndaj “shqiponjave” të Benfica, duke rikuperuar gjithçka në pjesën e dytë, pasi u gjetën në disantazhin e 3 golave, pas përfundimit të fraksionit të parë të sfidës.

Pas ndeshjes, teje i lumtur për rezultatin u duk të ishte edhe tekniku, Simone Inzaghi, i cili u shpreh se qasja e ekipit të tij në dy pjesët e ndeshjes ndaj Benfikës, ishte ajo që bëri diferencën në barazimin “e çmendur”.

“Duke parë një reagim të tillë dhe duke qenë afër fitores, marr shumë gjëra të mira nga pjesa e dytë. Në pjesën e parë duhet të kishim bërë më shumë, përfshirë edhe unë.

Çfarë u thashë gjatë pushimit? Unë kam njëzet titullarë, e di që mund të mbështetem te të gjithë. Ishte e lehtë të ndryshoja 4-5, por ndoshta duhet të kisha ndryshuar më shumë dhe nuk ishte faji i individëve. Folëm, bëmë disa ndryshime taktike dhe hymë me një shpirt tjetër. Nëse ajo gjuajtje e Barella nuk do të kishte përfunduar në shtyllë, ne do të kishim fituar një ndeshje të paharrueshme.

Vendi i parë? Ne e dimë që do të luajmë për kreun e grupit kundër Real Sociedad, tani do të duhet të përpiqemi të rikuperojmë mirë sepse të dielën do të kemi një ndeshje shumë të vështirë në Napoli”,- u shpreh Inzaghi për mediat, pas përfundimit të ndeshjes. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!