Barazimet përcaktojnë “fatet” e Grupit E, Rumania, Belgjika e Sllovakia sigurojnë kalimin në fazën tjetër

schedule19:54 - 26 Qershor, 2024

schedule 19:54 - 26 Qershor, 2024

Ishin rezultate mëse të pritshme. Pas Grupeve, A, B, C dhe D ka qenë Grupi E, që ka mbyllur pasditen e kësaj të mërkure, rrugëtimin në Kampionatin Evropian të futbollit, Euro 2024, me sfidat Sllovaki-Rumani e Ukrainë-Belgjikë, që nuk panë asnjë fitues, duke mos dhuruar spektaklin e pritur nga tifozët.

Kështu, në “Deutsche Bank Park”, të Frankfurtit, Sllovakia e Rumania, nuk i kanë prishur punë njëra-tjetrës, duke i mbyllur 90 minutat e sfidës në rezultatin e barabartë, 1 me 1, me golat që u regjistruan që në fraksionin e parë të lojës, fillimisht nga “fantazisti” sllovak, Ondrej Duda, falë një goditje me kokë në minutën  e 24’-t e më pas nga Razvan Marin, me 11-metërsh, në minutën e 37’-të të sfidës.

Në krahun tjetër, “Djajtë e Kuq” të Belgjikës mbyllën gjithçka pa gola, në “MHP Arena”, të Shtutgarit, përballë Ukrainës, duke dërguar “Verdheblutë”, për në “shtëpi”, pavarësisht përpjekjeve të këtyre të fundit, për të siguruar një fitore të madhe, e cila do të harronte humbjen poshtëruese, 3 me 0, përballë Rumanisë.

Falë këtyre rezultateve, Rumania e mbyll në vendin e parë të Grupit E, me plot 4 pikë, aq sa Belgjika e vendit të dytë, por me një golavarazh më pozitiv se këta të fundit. Ndërkaq, me 4 pikë e kanë mbyllur gjithashtu edhe Sllovakia e Ukraina, mirëpo falë golavarazhit më pozitiv sllovakët arritën një kualifikim të madh, për në fazën e ardhshme. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!