Banori kundërshton vendimin e qeverisë për ndërtimin e vilave pas tërmetit: Është prona ime, do shkoj në Strasburg

schedule13:54 - 18 Janar, 2020

schedule 13:54 - 18 Janar, 2020

Në dhjetor të vitit të kaluar kryeministri Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Veliaj ishin në Vaqarr për të konstatuar edhe vendin ku do ndërtohen banesat e reja për të dëmtuarit e tërmetit të 26 nëntorit.

Qeveria vendosi që ish-Poligoni i Vaqarrit të jetë toka që do të përdoret për ndërtimin e 35 vilave ku do të akomodohen të gjithë banorët e prekur nga tërmeti. Por pavarësisht se objektet ishin pronë shtetërore, tokës në të cilat ato kanë qenë ndërtuar i ka dalë pronari. Aktualisht objektet janë rrafshuar, por Bujar Taku vjen çdo ditë aty për të kujtuar se prona në të cilën do të ndërtohet i përket familjes së tij.

“Unë jam pronar i ligjshëm, jo s’i tha kryeministri që toka është e shtetit”, shprehet Bujar Taku.

Thotë se nuk është kundër të ndërtohet për banorët e prekur nga tërmeti por apelon që qeveria t’i njoh dokumentat që zotëron prej vitesh.

“Nuk na e kanë shtruar këtë lloj kërkese fare. ‘Ik se është tokë e shtetit, nuk i njohim letrat fare, nuk keni punë këtu’. Tani e tutje se çfarë do bëhet ne jemi në pritje. Nuk jemi në kundërshtim që ky objekt u prish se është i shtetit, ama si pronë jam unë, po ky shtet ma ka njohur”, thotë ai.

Dhe nëse zgjidhjen nuk do ta marrë në rrugë gjyqësore, përballjen me shtetit thotë se do çojë në Strazburg.

“Kemi vendosur bashkë me avokatin, bashkë me 35 vetta bashkëpronarë këtu do ta ndjekim rrugën gjyqësore deri ku të dalë e drejta. Nëse nuk do marrim përgjigje pozitive atëherë do i drejtohemi Strasburgut”, shprehet Taku./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!