Në kuadër të planit të rindërtimit bashkia Vorë ka marrë vendimin për të shembur 12 pallate dhe rreth 70 objekte, të cilat janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.
Mirëpo, ky vendim nuk është pritur mirë nga banorët. Siç raporton gazetarja Glidona Daci për abcnews.al banorët janë mbledhur këtë mëngjes sërish para bashkisë.
Ata pretendojnë që disa prej këtyre objekteve nuk janë shpallur të pabanueshme. Për këtë arsye ata kanë protestuar edhe ditën e djeshme.
Banorët kërkojnë të takohen me kryetarin në detyrë të bashkisë Hekuran Brahimaj dhe të marrin një garanci prej tij, ti sqarojë në lidhje me mënyrën se si do të funksionojë ky plan rindërtimi. Ata kërkojnë që çmimi i kompensimit të objekteve të tyre të jetë i njëjti me vlerën e tregut.
Mësohet se kryetari në detyrë i bashkisë nuk ndodhet në zyrën e tij, ndonëse banorët presin që të takohen.
Ditën e djeshme ka pasur edhe tensione gjatë protestës, pasi banorët kanë tentuar të futen në ambientet e bashkisë në mënyrë që të takohen me kryetarin, por janë penguar nga policia. /abcnews.al