Banorët e Unazës së re në Tiranë kanë kallëzuar në prokurori kryetarin e Bashkisë ErionVeliaj dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar. Ndërkohë pranë zonës së njohur si “Astiri” ka nisur heqja e pemëve për t’i hapur rrugë projektit për Unazën e madhe të kryeqytetit.
Në Unazën e Re në Tiranë ka nisur puna. Shkulja e pemëve është hapi i parë i hedhur për të vijuar më pas me shembjen e objekteve dhe zgjerimin e rrugës. Por ndërkohë që punonjësit e bashkisë kanë mbërritur në lagjen e tyre një përfaqësi e banorëve kanë shkuar pranë Prokurorisë së Tiranës. Ata tregojnë se kanë depozituar një kallëzim penal ndaj kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.
“Një kallëzim penal për prishjen e banesave në Unazën e Re si dhe mosrespektimin e të drejtave të njeriut ndaj banorëve duke i ofenduar nëpër media”.
Ndërkohë i kanë kërkuar organit të akuzës të nisë hetimet për projektin që do të zbatohet në këtë zonë.
“Njolla siç thotë edhe kryebashkiaku, njolla e Adil Çarçanit është 27 metra nga aksi. Jo 67 metra nga aksi”.
Megjithatë banorët përsërisin thirrjen se nuk janë kundër zhvillimit të zonës, por kërkojnë dëmshpërblim në masen 100% dhe me vlerën e tregut për pronat e tyre.
“Nuk jemi kundra zhvillimit. Le të vazhdojnë punimet. Ne duam dëshpërblim me vlerën e tregut 100%”.
Banorët që zotërojnë dokumentet e pronësisë, sipas ministrit të Infrastrukturës, Gjiknuri dhe kryebashkiakut Veliaj do të kompensohen sipas ligjeve në fuqi ndërsa atyre që nuk janë pajisur me leje legalizimi do t’iu sigurohet qera e banesës për tre vjet./abcnews.al