Banorët e përmbytur nga Vjosa, në protestë: Duam dëmshpërblim nga shteti

schedule12:23 - 16 Dhjetor, 2021

schedule 12:23 - 16 Dhjetor, 2021

Dalja e lumit Vjosa nga shtrati solli përmbytje të mëdha kryesisht në Vlorë e në Fier. Së fundmi fermerët e Fierit janë ngritur në një protestë ku kërkojnë dëmshpërblim për dëmet nga këto përmbytje.

Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha për fermerët e luleshtrydhes në Kafaraj të Njësisë Administrative, Frakull.

Për këtë arsye ata janë mbledhur sot për të protestuar, në autostradën Levan ‐Tepelenë ,ku shtrihen serat e fshatrave që tokat bujqësore i kanë të kthyera në sera me prodhim te luleshtrydhes.

“Kam gati 6-7 vjet që jam kthyer dhe jam përballur me situata kritike. Është viti i katërt që përmbytemi. U jam kthyer nga emigrimi, jam me pasaportë greke, por erdha të investoj këtu në Shqipëri. ne nuk marrim asgjë. Më janë dëmtuar rreth 1 ha sera”, thotë një fermer.

E veçantë ishte thirrja e një vajze të vogël të një prej fermerëve për kryeministrin. “Xhaxhi Edi Rama kur të shkosh t’i blesh djalit tënd Zahos dhuratë për Vitin e Ri mendo edhe për të gjithë fëmijët dhe baballarët që nuk kanë lekë të blejnë dhurata”,- thotë vogëlushja.

Sakaq, pjesë e protestës kane qene edhe përfaqësues Sindikatës së  Bashkuar të Fermerëve, të cilët sot kishin takim me kryeministrin Rama ,i cili ua ka shtyrë për ditë tjetër. g.v/abcnews.al