Banorët e fshatit Orman dhe Rrëmbec në Maliq protestuan ditën e sotme duke bllokuar rrugën. Shkak është bërë mungesa e ujit të pijshëm. Ata paralajmërojnë bllokim të rrugëve nacionale dhe procesit mësimor nëse problemi i tyre nuk zgjidhet.
Mungesa prej dy dekadash e ujit të pijshëm ngriti në protestë banorët e fshatrave Rrëmbec dhe Orman. Ata bllokuan për një orë rrugën kryesore që lidh fshatrat e zonës, duke mos lejuar kalimin e mjeteve. Furnizimi me ujë për rreth 5 mijë banorë bëhet vetëm një herë në javë,por uji nuk mund të konsumohet nga ndotja e lartë.
Për të siguruar ujin, një pjesë e banorëve kanë gjetur zgjidhje, duke u furnizuar në fshatrat fqinje. Distanca më e afërt nuk është më pak se 20 kilometra.
Protestuesit i kanë kërkuar bashkisë,e cila herë pas here dërgon bote me ujë,të zgjidhë në mënyrë përfundimtare problemin. Në të kundërt, ata paralajmërojnë bllokim të rrugës nacionale dhe pezullim të procesit mësimor. Por kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu, thotë se është gati projekti dhe pritet financim nga qeveria.
Ujësjellësi,ndërtuar në vitin 1969 është tërësisht i amortizuar dhe disa herë specialistët e shëndetit publik kanë ndaluar përdorimin e tij./ABC News albania 24/7