Banorët e dy fshatrave në Pogradec kundërshtojnë landfilldin: Na rrezikon jetën, nuk do ta lejojmë

schedule16:55 - 10 Korrik, 2020

schedule 16:55 - 10 Korrik, 2020

Ndërtimi i një vendgrumbullimi dhe trajtimi për mbeturinat ka trazuar jetën e banorëve të dy fshatrave të Pogradecit, Gështenjasit dhe Baçallëk.

“ABC News” ka vizituar nga afër këto fshatra ku edhe është njohur me shqetësimet e banorëve.

“Banesa ime është 300 metra larg. Po u bë këtu në duhet të ikim që këtu”, shprehet një qytetar.

“Ne na kërkojnë të mbrohemi nga pandemia, por ne po na e sjellin”, shprehet e revoltuar një qytetare, ndërsa një tjetër shton se ky grumbullim do shkaktojë kancer.

“Të gjitha do derdhen në lumë dhe do shkojnë mbetjet në liqenin që është i mbrojtur nga UNESCO”, tregon një tjetër qytetar.

Banorët pretendojnë se janë kërcënuar nga policia pas protestave të disa ditëve më parë.

“Më erdhi polica në shtëpi dhe më tha se nëse dal në protestë, do të futem në burg. Më tha,- mos dil më në protestë!  I thashë,- do dal”, shprehet një qytetare.

Këta banorë pretendojnë se nuk janë thirrur për bisedime nga Bashkia e Pogradecit si dhe ligji e dikton. Dhe janë vetëm 5 persona që e kanë firmosur projektin.

Ndërsa me iniciativë të tyre kanë mbledhur mbi 1200 firma për të kundërshtuar këtë projekt.

Peticionin e kanë nisur në bashki, por kanë marrë një përgjigje të cilës nuk do t’i binden.

“Na thanë që kjo do paketohet dhe do bëhet si kuti me llokume dhe nuk do të shkaktojë asnjë dëm. I thamë janë llokume për të ngrënë apo qen të ngordhur do të sjellin këtu? Nëse janë llokume t’i marrin, në këtu nuk i duam”, tregon një qytetare e cila kundërshton projektin.

Kundër projektit të grumbullimit të mbetjeve është dhe një fshat tjetër.

Në fshatin Baçallëk banorët thonë se do të luftojnë deri në fund.

“Ne nëse na vjen ajo do të vdesim të tërë si fshati”, shprehet një qytetar.

“Ndotja çfarë nuk shkakton. Më keq nuk ka. Do ndotet, uji, toka, ajri”, shprehet një tjetër banor.

Gështenjat shekullore po priten që të ndërtohet impianti i trajtimit të mbetjeve.

“Gështenjat janë 6 shekullore. Janë prerë dhe është dëmtuar një sipërfaqe mjaft e madhe.  Policia e Bashkia ta mbrojë, që edhe ne të mbledhim gështenja”, shprehet një qytetar.

Ata thonë se nuk po mbështeten as nga njësia e tyre administrative.  Të zhgënjyer nga politika dhe do bojkotojnë dhe zgjedhjet e radhës.

“Nuk na ka ardhur as kryetari i njësisë administrative. Vijnë vetëm për vota. Nuk do votoj më”, shprehet ajo.

Do vazhdojmë deri në pikën e fundit, edhe jetën do të japim ne pleqtë, vetëm për të rinjtë”, shprehet qytetarja.

“Abc News” u interesua disa herë pranë Bashkisë së Pogradecit, por për projektin nuk folën./abcnews.al