Banorët e Deçanit insistojnë se janë helmuar nga uji

schedule15:27 - 14 Korrik, 2021

schedule 15:27 - 14 Korrik, 2021

Banorë të shumtë të fshatrave të Deçanit po vazhdojnë të kërkojnë trajtim mjekësor pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.

Ata insistojnë se simptomat si të vjellat, temperatura, dhimbja e kokës dhe i plogështi janë si pasojë e helmimit nga uji pavarësisht se IKSHPK hodhi poshtë se uji ka qenë i kontaminuar.

Kimete Dervishaj nga fshati Gllogjan i Deçanit është njëra nga të prekurit nga helmimi. Ajo thotë se në ketë fshat numri i të helmuarve është i madh.

Ajo është e bindur se shëndeti i saj u përkeqësua pas konsumimit të ujit.

“Lodhje, dhimbje lukthi, brinjëve, ethe, temperaturë të gjitha… Shumë familjarë jemi të infektuar. Veç unë jam në familjen time. Në rrethin tonë ka shumë. Është helmim sepse si kemi pi ujë pastaj jemi helmuar, si e kam pi gotën e parë në mëngjes kam pasur dhimbje koke e lukthi. I mirë është trajtimi (nga mjekët) disa (barna) duhet t’i blejmë e disa po i kanë”, tha ajo.

Të infektuar janë edhe vajza 8-vjeçare dhe djali 3-vjeçar i Agim Dodajt. Ai thotë se ende nuk e dinë prej nga erdhi ky helmim.

“Simptomat e para janë vjellje dhe diarreja. Arsyen e saktë nuk na e kanë treguar ende. (Më janë helmuar) vajza 8-vjeçare dhe djali 3 vjeç. Djali mirë është por edhe vajza tani pasi e mori infuzioni është mirë”, u shpreh Dodaj për mediat në Kosovë.

Xhevat Sheqiri, banor i Gllogjanit, thotë se familjarët e tij tashmë po ndjehen më mirë pas trajtimit mjekësor.

Ai është i bindur se helmim erdhi nga uji i pijshëm.

“Më ka prekur bashkëshorten, vajzën, e kam studente në Prishtinë por ka qenë ka qëndruar këtu dhe të dielën ka shkuar, të hënën e ka prekur edhe djalin e ka prekur, mua jo…  Të njëjtën terapi gjithsecili që ka ardhur e ka pasur. Kush ka pi ujë është helmuar, kryekëput është prej ujit”, u shpreh ky banor i Deçanit.

Në 24 orët e fundit me simptoma të njëjta trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Deçanit kanë kërkuar 310 pacientë, ndërsa vetëm sot deri në mesditë janë trajtuar 55 qytetarë. Në total shifrat e personave të helmuar ka shkuar në 1 mijë 62. Këto të dhëna i ka bërë te ditura drejtori i QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha.

Ndërsa, lidhur me situatën e krijuar si pasojë e helmimit të dyshuar nga uji, konferencë për media në orën 16:00 pritet të mbajë kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!