Amortizimi i rrugës nacionale Durrës-Shijak ka ngritur në protestë banorët e fshatrave përreth. Në shenjë revolte dhe dëshpërimi, banorët i janë bashkuar thirrjes të një emigranti për bllokuar rrugën për 30 minuta duke penguar qarkullimin e automjeteve.
Nga Italia ku punon dhe jeton 33-vjeçari Orges Sinjoni u revoltua kur shkoi në shtëpinë e tij në Xhafzotaj të Durrësit.
Shkak u bë rruga me gropa.
Protestës së tij iu bashkuan edhe banorë të tjerë.
“Kjo është një protestë paqësore për të drejtën tonë, për rrugën. U bë 27 vjet që është copë-copë, është skandal. Këtu çdo ditë po vriten, po çhaen gomat, po prishen makinat”.
Bëhet fjalë për segmentin nacional, Durrës-Shijak.
Për 30 minuta, protestuesit e bllokuan atë dhe nuk lejuan asnjë mjet të kalojë.
Ata thonë se aty nuk investohet prej 20 vjetësh.
Tetë kilometra e gjatë, aksi Durrës-Shijak përshkon zonën industriale më të rëndësishme në vend. Por për dy dekada aty nuk është ndërhyrë. Banorët edhe më parë u janë drejtuar vendorëve për shqetësimin. Kësaj herë i shkuan nga pas djalit të fshatit të tyre./abcnews.al