Bankat perceptuan më pak rrezik/ BSH: Dhanë më shumë kredi për ekonominë

schedule15:51 - 21 Janar, 2025

schedule 15:51 - 21 Janar, 2025

Ekonomia shqiptare ka vijuar të mbështet  me hua nga sistemi bankar. Sipas Bankës së Shqipërisë në tremujorin e fundit të vitit 2024 shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua më e lartë. Faktorët që ndikuan në rënien e shkallës së refuzimeve për kredi të bizneseve ishin politikat e bankave lidhur me kolateralin, pasqyrat financiare të bizneseve, si dhe perceptimi më i ulët i rrezikut nga ana e bankave mbi të ardhmen e sektorit ku operojnë bizneset. E njëjta tendencë parashikohet të jetë edhe gjatë këtij viti. Në tremujorin e parë të vitit 2025, bankat presin të ndjekin politika disi më të lehtësuara kreditimi në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, si edhe në kreditë lëvruar me qëllim financimin e investimeve.

Për të nxitur huadhënien Banka e Shqipërisë parashikon që për bizneset e vogla të vihet në dispozicion një fond garancie  prej 25 miliardë lekësh që do të përdoret vetëm për kreditimin me kushte më të lehtësuara.

Banka Qendrore parashikon se norma e interesit për kredinë për biznesin e vogël e të mesëm mund të ulet deri në 2%.

Sipas statistikave i gjithë portofoli i kredisë së disbursuar deri në nëntor rezulton se është 824.3 miliardë lekë. Gjatë gjithë vitit mbështetja e bankave për ekonominë shqiptare ka qenë pozitive duke mbështetur më shumë bizneset sidomos në sektorin e turizmit .Ndërkohë vendimi për uljen e normës bazë të interesit ka dhënë efekte  duke I bërë kreditë më të lira si për qytetarët ashtu edhe për bizneset./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!