TIRANË- Banka Qendrore Europiane ka vijuar politikën lehtësuese duke i bërë kreditë më të lira për qytetarët europianë. Në mbledhjen e radhës institucioni uli normën bazë të interesit në 2.5% nga 2.75% që ishte më parë.
Por, nisur nga ngadalësimi i ekonomisë së eurozonë, Banka Europiane ka rishikuar me ulje edhe pritshmëritë për rritjen e ekonomisë ketë vit. Ekspertja për ekonominë, Teuta Nunaj, u shpreh se nga qershori i 2024 kjo është hera e gjashtë që Banka Evropiane ka vendosur uljen e normës bazë të interesit.
Sipas saj, kjo masë do t’i bëjë kreditë më të lira, por po ashtu do të preken dhe depozitat, ku qytetarët me uljen e normës së interesit do kenë më pak fitime.
Duke analizuar të dhënat dhe prirjet aktuale ekonomike në eurozonë, ekspertja Nunaj thekson se gjatë muajve të ardhshëm nuk pritet të ketë më ulje të normës bazë të interesit në eurozonë.
“Që nga qershori i vitit 2024 është hera e gjashtë që Banka Qendrore Evropiane bën një ulje të normës së interesit. Një ulje e normës së interesit është bërë në të gjitha zërat. Kjo do të bëjë, që të kemi një kredi më të lirë dhe po ashtu dhe fitimi nga depozitimet është më e ulët. Vendimmarrje e pritshme dhe parashikohet të këtë një pauzë dhe në muajin prill nuk pritet të kemi ulje të mëtejshme të normës së interesit”, theksoi ajo.
Duke diskutuar në emisionin “Money Report” në Abc News, Nunaj u ndal edhe tek lufta e re tregtare e paralajmëruar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili vijon presionin ndaj shteteve të tjera.
Sipas Nunajt, vendosja e tarifave do të ndikojë në rritjen e çmimeve ose në të kundërt do të detyrojë bizneset prodhuese të zhvendosin prodhimin në Amerikë. Sa i përket tregut europian, Nunaj beson që Trump nuk pritet të aplikojë tarifa për produktet pasi kjo do kishte pasoja të shumta.
“Konsumatorët amerikanë do të preken nga rritja e çmimeve. Tregu i BE është tregu më i madh në botë, sa i përket volumit në tërësi. Tregu evropian pritet të ketë një ndikim të gjerë, por unë besoj se Trump nuk do të vendosë tarifa për Eurozonën”, pohoi ajo./abcnews.al

