Banka e Shqipërisë vendos tavan për interesat e huasë konsumatore

schedule07:41 - 26 Shkurt, 2021

schedule 07:41 - 26 Shkurt, 2021

Bankave dhe institucioneve finaciare jobanka iu është dërguar këtë javë për konsultim projektrregullorja e ndryshuar “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”.

Rregullorja e ndryshuar përcakton konceptin e ri të normës efektive maksimale të interesit (NEI maksimal) duke u bazuar në mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit për kredinë konsumatore dhe duke i shtuar kësaj mesatareje një të një të tretën e saj. Për shembull, nëse interesi mesatar për një produkt të kredisë konsumatore gjatë një tremujori të caktuar ka qenë 15%, NEI maksimal i vendosur nga Banka e Shqipërisë do të jetë 20%.

Banka e Shqipërisë do të përcaktojë normën efektive maksimale të interesit për secilën nga kategoritë e kredisë konsumatore dhe intervalet e shumave të disbursuara në fund të çdo tremujori. Këto norma do të publikohen në faqen e saj zyrtare të internetit dhe do të jenë në fuqi për tremujorin pasardhës. Për të llogaritur mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit, Banka e Shqipërisë do të marrë në konsideratë të gjitha kreditë e disbursuara gjatë tremujorit të mëparshëm deri në vlerën e 10 milionë lekëve, të cilat janë akorduar vetëm për individët dhe nuk janë të siguruara me anë të hipotekës apo ndonjë sigurim tjetër mbi pasurinë e paluajtshme.

Banka e Shqipërisë do të përcaktojë normë maksimale interesi të posaçme për secilën nga kategoritë e kredisë konsumatore, ku përfshihen kreditë me këste periodike, kreditë kufi (overdraftet), kartat e kreditit dhe qiraja financiare.

NEI maksimal do të ndahet gjithashtu sipas disa intervaleve të shumës së kredisë konsumatore, konkretisht për shumat deri në 200.000 Lekë, për ato nga 200.001deri në 2.000.000 Lekë dhe 2.000.001 deri në 10.000.000 Lekë. Për secilin nga kombiminet e produkteve dhe intervaleve të mësipërme, Banka e Shqipërisë do të publikojë normat efektive maksimale të interesit me interval tremujor.

Shtysë kryesore për hartimin e një rregulloreje të tillë janë bërë normat e interesit të aplikuara nga disa institucione të mikrokredisë, që në disa raste kanë arritur deri në 140% me bazë vjetore. Interesat e larta nga këto institucione shpjegohen kryesisht me procedurat shumë të shpejta të miratimit, me marrjen përsipër të një shkalle më të lartë rreziku dhe me kreditimin në shuma të vogla, që sjellin edhe kosto më të larta procesimi për njësi.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë e ka parë të arsyeshme të ndërhyjë dhe të vendosë një kufi se deri ku mund të arrijnë normat e interesit për kredinë konsumatore. Me rregulloren e re, norma maksimale e interesit do të mbështetet në parimin e mesatarizimit në nivel tregu. Efekti i normave të larta të aplikuara nga institucionet e mikrofinancës do të balancohet nga interesat më të ulëta që ofrojnë zakonisht bankat, duke krijuar gjithsesi një hapësirë të mëtejshme, përmes shtimit të një të tretës mbi normën mesatare të tregut. Në teori, kjo pritet të sjellë norma interesi më të arsyeshme, në mbrojtje të interesave të huamarrësve.

Kredia në institucionet e mikrofinancës përgjithësisht shfrytëzohet nga një segment më pak i formalizuar dhe më pak i edukuar financiarisht i publikut, faktor që edhe ky mund ta përligjë një nevojë për të vendosur kufi të sipërm për normat e interesit të kredisë konsumatore./Monitor