Banka Botërore ka miratuar sot një financim shtesë prej 29.5 milionë dollarë për projektin e Përmirësimit të Sektorit të Shëndetësisë në Shqipëri
Ky financim do të ndihmojë në adresimin e dëmeve të shkaktuara në objekte të kujdesit shëndetësor nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 si dhe do të përmirësojë procesin e modernizimit dhe reformat në disa shërbime spitalore publike.
Shqipëria ka bërë progres në drejtim të rritjes së jetëgjatësisë të popullsisë së saj, por sistemi shëndetësor i vendit duhet të përmirësohet ndjeshëm për të përmbushur nevojat aktuale shëndetësore si rezultat i një periudhe të gjatë tranzicioni demografik dhe epidemiologjik.
Për këtë qëllim, Qeveria shqiptare ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për menaxhimin, planifikimin dhe financimin e shërbimeve shëndetësore publike.
Projekti i Bankës Botërore për Përmirësimin e Sektorit të Shëndetësisë ka luajtur rol kyç në këtë drejtim, duke mbështetur rehabilitimin e tre spitaleve, zbatimin e Sistemit të Informacionit Shëndetësor në katër spitale rajonale dhe rindërtimin e spitalit të Laҫit, i cili u shkatërrua nga tërmeti i nëntorit 2019.
Dëmet e shkaktuara nga tërmeti në disa spitale e kanë bërë të domosdoshme ndërhyrjen urgjente për përmirësimin e infrastrukturës dhe furnizimin e tyre me pajisje të reja mjekësore.
Financimi Shtesë do të ndihmojë në përballimin e këtyre nevojave, dhe më konkretisht për rehabilitimin e Spitalit të Krujës, Spitalit Rajonal të Lezhës dhe disa spitaleve e njësive në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza si Departamenti i angiologjisë dhe kardiokirurgjisë, Spitalit Psikiatrik, Departamenti i djegies dhe kirurgjisë plastike, dhe Spitali i përgjithshëm pedriatik.
Gjithashtu, do të furnizohen me pajisje të reja mjekësore Spitali i Pediatrisë dhe Spitali i Laçit. “Rehabilitimi i infrastrukturës kryesore dhe furnizimi me pajisje të reja mjekësore për spitalet rajonale dhe ato bashkiake do të shërbejë për aftesimin e tyre për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe eficente të kujdesit shëndetësor për qytetarët shqiptarë”, tha Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.
Gjithashtu, Financimi Shtesë po mbështet zbatimin e Sistemit të Informacionit Shëndetësor në të gjithë rrjetin e spitaleve rajonale, i cili do të bëjë të mundur një koordinim dhe integrim më të mirë të shërbimeve me qëllim përmirësimin e vazhdimësisë dhe cilësisë së kujdesit shëndetësor./Monitor