Banesat e dëmtuara nga tërmeti do ri-inspektohen për të percaktuar qëndrueshmërinë

schedule14:52 - 25 Janar, 2020

schedule 14:52 - 25 Janar, 2020

Pallatet apo banesat individuale të cilat rezultojnë të jenë në gradën më të lartë të dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit do të riinspektohen. Vendimi fundit i qeverisë saktëson se aktekspertiza e thelluar do të bëhet për ndërtesat me dëmtime të shkallës së gradës 4 dhe gradës 5(DS4, DS5).

Detyrimin për realizimin e këtij procesi do ta kenë njësitë e vetëqeverisjes vendore ose autoritetet përgjegjëse shtetërore që do të realizojnë rivleresim të thelluar të mbështetur në aktkonstatimet  paraprake të Institutit të Ndërtimit apo të grupeve përkatëse të inspektimit. Pas kësaj procedure të detajuar në këto objekte do të vendoset edhe për ndërhyrjet, për të përforcuar më tej sigurinë e ndërtesave ose jo. Kryerja e aktekspertizës së thelluar për objektet, publike ose private, që janë klasifikuar me shkallë dëmtueshmërie DS4 dhe DS5, bëhet sipas tarifave të përcaktuara në vendim.

Analiza e thelluar përfshin studimin e dokumentacionit, studimin e strukturave do të shoqërohet me kryerjen e testeve, me shkatërrim dhe pa shkatërrim, studimin gjeometrik, studimin e materialit,qendrueshmeria sizmike dhe gjeologjike.

Ndërkohë duke nisur nga java tjetër të gjithë qytetarët të cilët kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 Nëntorit duhet që të aplikojnë në platformën online të rindërtimit ku duhet të deklarojnë të dhënat për dëmet që kanë pësuar. Edhe pse jo përfundimtare fatura për dëmet nga tërmeti mendohet se arrin në 1 mld euro. Më herët qeveria miratoi edhe vendimet për banesat që do të përfitojnë familjet e pastreha të cilat do të ndahen në bazë të numrit të anëtarëve./abcnews.al